E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një reformë në kohën e Facebook-ut

RICHARD HODGES

Kanë kaluar rreth 12 vjet që kur Shqipëria krijoi Parkun Kombëtar të Butrintit. Shumë nga institutet shtetërore në atë kohë e anatemuan krijimin e parkut. Ishte tërësisht kundër konceptit të Enver Hoxhës për administrimin e trashëgimisë në mënyrë tërësisht të centralizuar nga shteti. Sot, me rreth 80 000 turistë në vit, që ofrojnë punë dhe janë burim të ardhurash për shumë nga banorët vendës, kush mund të ankohet? Më shumë nga çdo gjë tjetër, Butrinti reflekton më të mirën e Shqipërisë, një idil romantik, ku çiftet a sapomartuar kërkojnë të bëjnë fotografitë e dasmave dhe ku fëmijët e shkollave marrin prezantimin e parë me arkeologjinë e Mesdheut nën pemët e motshme e hijerënda.
Po si u arrit kjo? Nga shteti? Po dhe jo: ishte rezultat i vizionit të ministrit Edi Rama që të përfshinte në vitin 2000 fondacionin Butrinti. Ishte një partneritet i shkëlqyer, shumë i lakmuar nga zyrtarët e Greqisë dhe Italisë në atë kohë. Mjafton të shohim Gjirokastrën sot, ku një partneritet i ngjashëm ka shpëtuar jo vetëm shumë shtëpi dhe kalanë madhështore, por si rezultat i rritjes së ndërgjegjësimit ndaj turizmit (numërohen rreth 20 000 turistë të huaj në vit) dhe vetë ekzistencën e këtij qyteti në trashëgiminë botërore UNESCO. Instituti i Monumenteve dhe Bashkia e qytetit, në partneritet me Zyrën e Konservimit dhe Zhvillimit të Gjirokastrës (krijuar në vitin 2001), e cila bashkëpunon me një numër të madh fondacionesh dhe organizatash të huaja, i ka dhënë jetë të re këtij qyteti të jashtëzakonshëm. Mbi Sarandë janë dy monumente të rëndësishme: kalaja e Lëkurësit dhe Manastiri i Dyzet Shenjtorëve. Lëkurësi u shpëtua nga rreziku i ndërtimit të blloqeve prej betoni që po shtoheshin me shpejtësi në zonë nga ekipi i Edi Ramës në vitin 2000. Kalaja e Lëkurësit sot është një thesar i trashëgimisë shqiptare, bashkë me restorantin shumë të frekuentuar, dhe qëndron përkundruall me Manastirin e 40 shenjtorëve, një monument më të madh që është lënë tragjikisht i shkretë, megjithëse nën kontrollin e plotë të shtetit.
Një tjetër shembull, në afërsi të Korçës: një partneritet novator pak vjet më parë, midis një fondacioni të huaj dhe autoriteteve vendore, jo vetëm që e mbrojti tumën prehistorike të Kamenicës, por bëri të mundur dhe ngritjen e një muzeu atje.
Nëse shteti italian dhe ai grek e gjejnë të pamundur të mirëmbajnë sitet e tyre, si Pompeu apo Parthenoni që vizitohen nga miliona vizitorë, si mundet një ekonomi e vogël në tranzicion si e Shqipërisë të kujdeset efektivisht për sitet dhe muzetë e saj, por dhe për vende si Kamenica. Kërkon fantazi të botës së Disney-it që të imagjinosh që në erën e Facebook-ut shteti do të vazhdojë të ketë mundësinë dhe burimet për të administruar gjithçka në standardin e duhur. Është gjithashtu marrëzi anakronike të besosh që zyrtarët në zyrat e shtetit, të mbështetur nga një klase intelektuale e trajnuar në akademinë tradicionale, mundet të planifikojë mënyrën më efikase për të mbrojtur dhe administruar trashëgiminë e vendit. Bashkëpunimi me entitete vendore, private dhe bashkiake do të thotë që vëmendje e kujdesshme do tu kushtohet audiencave të ndryshme (të rinjve dhe të moshuarve, vendësve dhe të huajve), përkundrejt vendeve të përshtatshme vetëm për një kategori elitare turistësh. Pikërisht, në kohën e Facebook-ut, ashtu siç Butrinti ka treguar në mënyrë të suksesshme, nevoja për bashkëpunime e partneritete të tilla është e domosdoshme për krijimin e standardeve që u përshtatën interesave shtetërore, vendore, private dhe publike.
Pas 12 vitesh të reformës së propozuar për trashëgiminë kulturore në vend, që i ka rrënjët në Ministrinë e Edi Ramës, në vitet 1998-2001, zbatimi i saj po përgatitet të shtrihet në të gjithë vendin. Standardet e konservimit, restaurimi, gërmimi, mirëmbajtja dhe ndërtimi duhet të jenë pjesë e reformës. Këto janë standardet që ekzistojnë në Francë, Britaninë e Madhe, Irlandë, Holandë, ku sitet dhe muzetë udhëheqin zhvillimin ekonomik që rritet më shpejt: turizmin. Standardet u prezantuan në Butrint nga një fondacion privat; askush sot në Shqipëri nuk ka dyshim për këtë histori suksesi. Por, nëse këto reforma nuk ndodhin shpejt dhe nuk çlirojnë energji të re për të mbrojtur monumentet e Shqipërisë, shumë vende do të mbeten të shkreta.
Sigurisht, sot nuk ka një debat të vërtetë për anët pozitive të reformës. Ata që e kundërshtojnë kanë në fakt. në praktikë duke punuar vetë me zell për partneritete si ato të përshkruara më sipër. Por, në parimin e moçëm të vrasjes së lopës së fqinjit nga inati, në vend të të ushqyerit të saj, ka një dëshirë dashakeqe që të harrohet parimi i periudhës së Facebook-ut dhe, ca më keq akoma, rrezikohet që asetet kulturore të Shqipërisë të shndërrohen në mënyrë të papërgjegjshme në rrënoja të braktisura që do shëmtojnë pamjen për brezat e ardhshëm. Shqipëria ka nevojë për këtë reformë në trashëgimi. Zbatuar me standarde transparente, siç ilustron shembulli i Butrintit, kjo reformë do të jetë e lakmuar nga të gjitha vendet fqinje. Debati, atëherë sot duhet të jetë – se sa shpejt ky ligj i ri do të vihet në jetë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›