E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikolic viziton Ferizajn

Ka mjaftuar një ftesë nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, që kryetari i Komunës së Shtërpcës, Branislav Nikolic, të premten të vizitojë Komunën e Ferizajt.

Ai në këtë vizitë është shoqëruar nga nënkryetari për komunitete i Komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzullahu, të cilin Nikolic e kishte kundërkandidat në balotazhin e zgjedhjeve të fundit në këtë komunë me shumicë serbe. “Edhe më herët, kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Stanko Jakovlevic, e kam ftuar që ta vizitojë Komunën e Ferizajt, por një gjë të tillë ai nuk e ka bërë, ndërsa kryetari i ri, Branislav Nikolic, i është përgjigjur menjëherë ftesës që i bëra. Kjo është dëshmia më e mirë se ekziston një vullnet i dyanshëm që të bashkëpunojmë për çështjet me interes për qytetarët e dy komunave fqinje”, ka thënë kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, menjëherë pas takimit.

Kryetari Xhemaili ka thënë se me homologun e tij nga Shtërpca kanë biseduar për probleme të ndryshme. “Kemi biseduar edhe për problemin e të zhvendosurve serbë nga komuna e Ferizajt në Shtërpcë dhe për zhvendosjen e shqiptarëve nga komuna e Shtërpcës në komunën e Ferizajt”, ka thënë kryetari Xhemaili, duke premtuar që së shpejti me homologun e tij do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për çështje të caktuara.

Xhemaili ka thënë se Komuna e Ferizajt është e gatshme që të ndihmojë Komunën e Shtërpcës. “Do ta ndihmojmë qeverinë e re lokale në Shtërpcë, e cila ka shprehur gatishmërinë që të integrohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari Xhemaili.

I kënaqur nga ky takim është ndarë edhe kryetari i ri i Komunës së Shtërpcës, Branislav Nikolic. “Kemi mësuar për përvojat qeverisëse që janë shumë të nevojshme për ne. Ne kemi probleme me ndërtimet ilegale, veçmas në zonën turistike të Brezovicës, ndaj na është dashur të kërkojmë ndihmë nga përvojat në Komunën e Ferizajt”, ka thënë kryetari Nikolic. “Jam interesuar edhe për serbët e kthyer në tri fshatrat e komunës së Ferizajt, si dhe për të zhvendosurit në të dyja komunat”, ka thënë Nikolic.

Kryetari i Shtërpcës e ka vlerësuar si shumë të nevojshëm bashkëpunimin ndërmjet dy komunave. Ndërsa, i pyetur nga Expressi se si po funksionon koalicioni ndërmjet PDK-së shqiptare dhe SLS-së serbe, prej nga vjen ai, Nikoliq ka thënë: “Jam i befasuar me bashkëpunimin. Kemi një koalicion, më të mirin në Kosovë. Për dy muaj kemi bërë më shumë sesa është bërë për dy vjet në Komunën e Shtërpcës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›