E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të papërgatitur

Përsëritja e një tërmeti sikurse ai i së mërkurës, në shkallë pak më të lartë, mund të bëjë rrafsh me tokë shumë ndërtesa në Kosovë.

Edhe pse tërmetet nuk parashikohen, sizmologët thonë se Kosova është vend me aktivitet të lartë sizmologjik dhe rreziku është gjithmonë i pranishëm.

Prandaj mungesa e kritereve ligjore për t'u pajisur me një studim të posaçëm sizmologjik e gjeo-teknik mund të bëjë që këto ndërtesa shumëkatëshe që pasurojnë peizazhin e vendit çdo ditë e më shumë, mund të mos përballojnë tërmetet e fuqishme.

Ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) pohojnë se derisa në Kosovë nuk zbatohen kriteret antisizmike të ndërtimeve, atëherë në ndërtesa efekti tërmetor i fuqishëm mund të jetë i pranishëm.

“Është koha e fundit që përmes legjislacionit t’i detyrojmë ndërtimtarët në aplikimin e kritereve antisizmike si për ndërtesa ashtu edhe për sheshet e ndërtimit”, thotë Nazmi Hasi, shef i Laboratorit të Sizmikes në MEM.

Megjithatë, ai pohon se vitin e kaluar, Ministria e Energjisë ka përfunduar projektin e përpilimit të hartës së rrezikut sizmik me ç’rast, sipas tij, janë bërë analizat e rrezikut sizmik në shkallë nacionale.

Sipas tij, këtë projekt mund ta kenë kompanitë ndërtimore, aplikimi i të cilave të dhëna do të ndikonte në përgatitjen sa më efektive të Kosovës për mbrojtjen nga dridhjet e fuqishme.

“Mirëpo, duke u bazuar në faktin se analiza e rrezikut sizmik në shkallë lokale mungon për komunat që ndodhen në zonat sizmogjene, atëherë, rrjedhimisht del se nuk jemi të përgatitur për përballimin e efekteve shkatërruese të tërmeteve”, thotë Hasi.

Sa i përket shkallës lokale të studimit të rrezikut sizmik, thuhet se Ministria e Energjisë është në procedim të realizimit të mikrozonimit sizmik, fillimisht të lagjes Ulpiana të Prishtinës, ndërsa në vijim do të studiohet rreziku sizmik edhe për lagjet me një sizmicitet më të lartë të Gjilanit e Pejës.

Në anën tjetër, ekspertë të ndërtimtarisë pohojnë se më shumë është paragjykuar çështja e ndërtimeve të reja lidhur me sigurinë e tyre sesa që është thënë e vërteta.
Ata thonë se nëse një ndërtesë është mbikëqyrur nga një ekspert ndërtimtarie, atëherë edhe rreziqet nga shembja si pasojë e tërmetit janë të vogla.

“Nuk mund të themi përmendësh se cila ndërtesë është e ndërtuar në atë mënyrë që është e sigurt ndaj tërmeteve apo jo. Kjo gjë dihet vetëm nga eksperti i ndërtimtarisë që e ka punuar atë. Mirëpo, nëse një ndërtesë është mbikëqyrur nga eksperti i ndërtimit dhe është punuar në mënyrë të duhur, atëherë nuk besoj se ajo mund të ketë rrezik”, thotë Misin Misini, ekspert i ndërtimtarisë.

Ai thotë se një ndërtesë është e sigurt nëse është bërë si duhet projektimi i saj, revidimi, zbatimi i projektit dhe mbikëqyrja e tij.

“Megjithatë, nuk mund të themi se të gjitha ndërtimet janë bërë në mënyrë të duhur, sepse ka prej tyre që janë mbikëqyrur nga personat joadekuatë, të cilët mund të mos e kenë kryer punën e tyre ashtu siç duhet”, thotë Misini.

Në mesin e ndërtesave më të rrezikshme që klasifikon ky ekspert i ndërtimtarisë thotë se janë ato të cilat kati përdhese i është zhveshur nga muret dhe janë bërë lokale.
“Tek ne janë bërë ndryshime e modifikime të mëdha në ndërtesat e vjetra ekzistuese. Më së shumti katet e para të tyre shpeshherë janë rimodeluar duke dëmtuar e dobësuar krejt strukturën. Dendësia e ndërtimeve përmbi kritere shton gjithashtu rrezikun e dëmtimeve në raste tërmetesh. Në rast të goditjes nga tërmeti, ato mund të shkatërrohen tërësisht pasi që bëhet objekte me përdhese fleksibile”, shton Misini.

Edhe inxhinieri i ndërtimtarisë nga kompania ndërtuese ‘Tregtia’, Faton Grajçevci, thotë se të gjitha objektet e pasluftës janë të ndërtuara sipas kritereve të kërkuara me ligj. Nga ky grup i ndërtesave ai përjashton ato të cilat janë bërë pa marrjen e lejes së ndërtimit nga komunat përkatëse.

“Ka ndërtesa që pasluftës nuk janë punuar në mënyrë profesionale, por se qëllimi i ndërtimit ka qenë vetëm për profit. Mirëpo, ndërtimet që janë bërë me leje janë të sigurta, sepse për të marrë një leje të tillë, gjëja primare që kërkohet është analiza gjeo-mekanike e tokës”, thotë Grajçevci.

Ai thotë se kriter kryesor i fillimit të punës në një kompleks banesor është bërja e analizës gjeo-mekanike të tokës dhe llogari të tjera statike, siç është kontrolli i armaturës dhe betonit. Grajçevci pohon se Prishtina si rajon llogaritet si zonë e tetë sizmike, që nënkupton se tërmeti në Prishtinë mund të jetë me magnitudë deri në tetë shkallë të Rihterit dhe se për këtë çdo herë duhet ndërtuar mbi këtë parim.

Edhe zyrtarët komunalë janë të një mendimi me ekspertët e ndërtimtarisë. Ata thonë se asnjë leje për ndërtim, qoftë ai kolektiv apo individual, nuk jepen pa plotësimin e kritereve antisizmike.

“Për çdo ndërtim që bëhet në komunën e Prishtinës, paraprakisht nga investitorët kërkohet analiza e gjeo-mekanikës, përbërjes së tokës. Për këtë punë janë rreth katër institucione të licencuara por këto analiza mund të bëhen edhe jashtë vendit. Në bazë të këtyre parametrave bëhet llogaria statike e ndërtesës, sa mund ta ketë lartësinë dhe sa metra duhet të shkojë nën tokë. Pas kësaj kërkohet revidim i projektit dhe në fund pajisen me leje”, thotë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi.
Sipas zëdhënësit Gashi, për tu siguruar edhe më shumë nëse ndërtesa mund të përballojë tërmetet apo fatkeqësitë tjera që mund të ndodhin, në fund, nga ekspertët bëhet pranimi teknik i objektit dhe kontrollimi i tërësishëm i tij.

Në mesin e shumë komplekseve banesore të ndërtuara nga ‘Tregtia’ është edhe ai i ndërtuar në lagjen Dragodan të Prishtinës. Kjo lagje, sipas banorëve, thuhet të jetë e rrezikshme për ndërtim për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Mirëpo, inxhinieri Grajçevci thotë se para fillimit të ndërtimit në këtë lagje, aty janë bërë analizat e tokës dhe se, sipas tij, në bazë të këtyre analizave është vërtetuar se mund të ndërtohet pa u kanosur nga rreziku i rrëshqitjes së tokës.

“Kemi bërë shpim të tokës deri në 40 metra thellësi dhe toka është stabile për ndërtim në Dragodan. Nuk është e vërtetë se është e rrëshqitshme. Një gjë e tillë ndodh në këtë lagje, por vetëm në rajonin kah varrezat e qytetit”, thotë ai.

Në anën tjetër, zyrtari nga Ministria e Energjisë, Nazmi Hasi, thotë se duke u bazuar në topografinë relievore të lagjes Emshir dhe Arbëri (Dragodan), mund të konkludohet se ndërtesat e këtyre dy lagjeve janë shumë të rrezikuara nga forca goditëse të tërmeteve.

“Relievi i shesheve të ndërtimit mundëson akumulimin e energjisë së tërmetit që vjen për shkak te reflektimit të shumëfishtë të valëve sizmike. Po ashtu për ndërtesat tetëkatëshe patjetër duhet pasur në disponim parametrat fizikë të truallit që do të mundësonin projektimet sizmike sa më ekzakte”, thotë Hasi.

Në vitin 2002 në Kosovë, në rajonin përreth Gjilanit ishte regjistruar tërmet me intensitet prej 5,3 ballë sipas Rihterit. Për dallim nga tërmeti i fundit që goditi Istogun, ky termet kishte shkaktuar dëme të mëdha materiale te popullata e Gjilanit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›