Nikoliq e Daçiq, pjesë e dialogut politik?

Sipas paralajmërimeve, së shpejti edhe Beogradit edhe pushtetarëve të Prishtinës do t’u bëhen të ditura detajet e kërkesave të BE-së për dialogun politik. Por, qeveria e Serbisë gjatë gushtit do të ketë platformën për vazhdim të bisedimeve, përderisa takime konkrete, në relacionin Beograd-Prishtinë nuk do të ketë sipas të gjitha gjasave, para muajit shtator, shkruan gazeta Blic.
Tani vendimet për Kosovën më nuk do të merren vetëm tek një pjesë e pushtetit, siç ka qenë deri më tani, por përgjegjësia do të ndahet midis presidencës dhe qeverisë së Serbisë.
Pushteti i ri ka paralajmëruar që dialogu me Prishtinën do të avancohet në nivel të lartë politik që praktikisht nënkupton dialogun për zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës. Por, para kësaj, duhet të përfundojnë pjesë serioze të dialogut teknik, si çështjet energjetike, të cilat ndikojnë në nivelin politik.
Për pjesën teknike të dialogut, tani për tani jo zyrtarisht, përmendet si përgjegjës Marko Gjuriq, këshilltar i presidentit serb. Dialogu politik nënkupton përfshirjen në dialog të akterëve të nivelit të lartë politik, e ata janë presidenti dhe kryeministri i Serbisë.