E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu, punë për ne

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj thotë se nuk e di se kur mund të ndodhë një takim mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Por para një takimi në mes të Thaçit e Dacicit, ai thotë se Beogradi duhet t’i plotësojë kërkesat e Kancelares Merkel. Hoxhaj mohon se në takimet e niveleve të larta politike mes dy vendeve mund të diskutohet edhe çështja e Veriut.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj thotë se nuk e di se kur mund të ndodhë një takim mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, por sipas tij, çdo takim në nivele të larta nuk do të bëhet për të diskutuar për Veriun.

Ai ka thënë se gatishmëria e liderëve për t’u takuar me homologët serbë ka për qëllim përmirësimin e raporteve ndërshtetërore, siç ka ndodhur edhe me vendet e tjera të rajonit.

“Unë nuk e di se kur mund të ndodhë një gjë e tillë (takimi mes dy kryeministrave, Thaçi dhe Dacic, por një gjë mund të them se në emër të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, të Presidencës, të Qeverisë ka pasur gatishmëri për takime të tilla, sikurse duhet të ketë takime të tilla mes liderëve të Kosovës dhe liderëve të rajonit”, ka thënë Hoxhaj për Express, të martën.

“Krahas kësaj, Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi kanë thënë disa herë se jemi të gatshëm të ketë takime me përfaqësuesit e Serbisë sikurse me liderët tjerë të rajonit, se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe ne nuk i ikim asnjë takimi në nivele ndërshtetërore dhe në nivel politik, mirëpo, sa i takon Veriut të Kosovës është proces i brendshëm, i brendshëm dhe vetëm i brendshëm”, ka shtuar ai.

Kryediplomati kosovar ka thënë se para se të ndodhin takimet e niveleve të larta, Serbia duhet të shpërbëjë strukturat e sigurisë në Veri dhe të zbatojë kërkesat e Kancelares Angela Merkel.

“Është koha e fundit që diplomacia botërore të ushtrojë ndikimin e saj efikas në Beogradin zyrtar, që Beogradi ta trajtojë Kosovën si shtet dhe partner e fqinjë të saj dhe të tërheqë të gjitha ato formacione paramilitare dhe njësitë policore në Veri të Kosovës. Është koha e fundit në emër të paqes, stabilitetit dhe të sigurisë që të jetësohen qëndrimet, të cilat i ka thënë Kancelarja Merkel ne Beograd vitin e kaluar”, ka shtuar ai.

Pavarësisht kërkesave të ndërkombëtareve për dialog për Veriun, Hoxhaj ka thënë se institucionet e shtetit do të ndjekin shembullin e gjashtë komunave të tjera serbe që janë themeluar dhe integruar plotësisht në Kosovë.

“Qëndrimi i Republikës së Kosovës është se duhet të ketë një proces të brendshëm, i cili proces duhet të zhvillohet mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj në Veri, në kuptimin e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit dhe integrimit të tri komunave në Veri të Kosovës me Kosovën si tërësi. Çështjet e brendshme nuk do t`i diskutojë Kosova me asnjë shtet tjetër”, është përgjigjur Hoxhaj, kur është pyetur për kërkesat e ndërkombëtareve që të ketë dialog politik për Veriun.

Kosova dhe Serbia kanë nisur vitin e kaluar dialogun teknik, i zhvilluar në Bruksel, ku janë arritur shtatë marrëveshje, të cilat po vazhdojnë të mos zbatohen.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës thotë se me Serbinë duhet të vazhdojë dialogu teknik për çështjen e energjisë dhe të telekomunikacionit, por jo pa u zbatuar në tërësi marrëveshjet paraprake.

“Dialogu teknik duhet t`i diskutojë temat që kanë të bëjnë me telekomunikacion dhe energjetikë, si dhe qëndrimi ynë ka qenë skajshmërisht i qartë se pa zbatimin e tërësishëm të marrëveshjeve të arritura, nuk do të ketë takime të tjera të radhës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›