Nikoliq kushtëzon Kroacinë: ose Serbia,ose Kosova

Hyrjen e shtetit në Bashkimin Evropian, kroatët kanë vendosur ta festojnë duke pasur të pranishëm të gjithë presidentët e Ballkanit. Por sërish është Serbia ajo që u vë kushte fqinjëve duke thënë se nuk marrin pjesë po qe se ftohet edhe presidentja e Kosovës. Udhëheqësi i shtetit kroat, Ivo Josipoviq ka deklaruar se “të gjithë fqinjët, kryetarët e shteteve përfshi edhe Tomislav Nikoliq janë të mirëseardhur” për të marrë pjesë në gëzimin e kroatëve.
Por presidenti serb i’a ka bërë të qartë homologut kroat se pjesëmarrja e tij varet tërësisht nga mënyra se si do ftohet presidentja e Kosovës. “Shkuarja ime në Kroaci mund të evitohet vetëm nëse Kroacia vendos ta ofendojë Serbinë duke e ftuar Kosovën si shtet të pavarur”, ka deklaruar Nikoliq. Mbetet të shihet nëse Kroacia do t’ia plotësojë dëshirën Serbisë apo do të veprojë ashtu siç bëri ditë më parë kur bojktoi samitin e Ohrit për shkak të mosftesës së presidentes Jahjaga. Kroacia nga data 1 korrik e këtij viti do bëhet shteti i 28 anëtar i Bashkimit Evropian./Indeksonline/