E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reeker vlerëson progresin në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) në Shkup, ka zhvilluar një takim të veçantë me Zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker.

Gjatë takimit, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e fuqishme që Shtetet e Bashkuara po japin për Kosovën, në të gjitha aspektet.

Hoxhaj shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral dhe partneritetit strategjik me SHBA-të.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu falënderoi Washingtonin dhe personalisht Reekerin për kontributin e madh në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, ka vlerësuar progresin në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së për Kosovën, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Gjatë ditës në Shkup, Hoxhaj u takua edhe me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferri.

Hoxhaj vlerësoi bashkëpunimin e mirë bilateral me Maqedoninë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e shkëmbimeve në disa fusha.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri, ka shprehur mbështetjen e Maqedonisë për Kosovën, me theks të veçantë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në nisma dhe organizata rajonale, duke përfshirë Kartën e Adriatikut./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›