E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikolla: Greva është e ligjshme, nuk e njohim vendimin Gjykatës

Minatorët e Bulqizës kanë reaguar menjëherë pas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës për të ndërprerë grevën e urisë.

Ata janë grumbulluar para hyrjes së minierës për të mos lejuar hyrjen e asnjë nga specialistët brenda galerisë duke bllokuar edhe ashensorin që të çon në nivelin e 14-të të minierës ku prej 25 ditësh minatorët ndodhen në grevë urie.
 

Në një prononcim për “Ora News” kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla ka deklaruar se minatorët nuk janë në dijeni për një vendim të Gjykatës së Dibrës për të nxjerrë nga galeria minatorët.

“Nuk kemi asnjë njohuri në lidhje me vendimin e gjykatës. Greva jonë është e ligjshme dhe asnjë gjykata nuk mund ta shpallë grevën të paligjshme. Miniera nuk është në rrezik pasi specialistët tanë e kanë mirëmbajtur atë” ka theksuar Nikolla.
 

Gjithashtu Nikolla ka theksuar se minatorët janë të vendosur për të vijuar grevën e urisë duke përdorur të gjitha mjetet e rezistencës demokratike deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
 

Më tej Nikolla ka theksuar se nuk ka pasur asnjë sinjal nga kompania ACR për tu ulur në tryezë për të arritur një marrëveshje për kërkesat e minatorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›