ACR: Memorandum mirëkuptimi me minatorët

Kompania ACR përgatit memorandum mirëkuptimi me minatorët e Bulqizës. Drafti i përgatitur nga bordi i kompanisë dëshmon se edhe administratori Giga Bedineishvili është shprehur i gatshem për arritjen e marrëveshjes. Sipas draftit, ky memorandum mirëkuptimi është për t`i dhënë fund grevës dhe grevës së urisë që vazhdon në nivelin e 14-të të minierës së Bulqizës, si dhe në objektet e tjera të kësaj miniere duke nënshkruar këtë memorandum dhe duke u angazhuar për të zbatuar plotësisht dhe siç duhet përcaktimet dhe kushtet e parashikuara në 5 pika.
Memorandumi pushon automatikisht çdo efekt ligjor të tij, me nënshkrimin e kontratës së re kolektive që do të lidhet midis ACR dhe Sindikatës së re të minatorëve të Minierës Bulqizë që do të krijohet në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
ACR pajtohet për të përmbushur kërkesën e punonjësve për të rritur pagat e tyre bruto me 20%, duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij memorandumi. ACR pajtohet për të bërë transparent nivelin dhe progresin e investimeve të parashikuara në kontratën e koncesionit sipas marrëveshjes me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.