Nikolla pritet në Departamentin e Shtetit nga Escobar: “ShBA me Shqipërinë, partneritet dypalësh dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare”

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u prit të mërkurën në Departamentin e Shtetit nga Gabriel Escobar, Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja Nikolla dhe Ndihmës Sekretari Escobar diskutuan mbi ecurinë e reformave demokratizuese dhe integruese dhe mbështetjen e Kuvendit për avancimin e tyre.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe ShBA sot janë më të mira se asnjëherë. Partneriteti strategjik është konkretizuar në bashkëpunimin e shkëlqyer në KS të OKB dhe do të jetë i tillë edhe në KDNj. ShBA dëshirojnë ta kenë Shqipërinë partnere dhe mbështesin aplikimin e saj në sa më shumë organizata ndërkombëtare, vlerësuan bashkëbiseduesit.
ShBA mbështesin fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE, vlerësojnë arritjet e deritanishme dhe inkurajojnë thellimin e luftës kundër korrupsionit.
ShBA, të cilën Escobar e cilësoi si vendi më prokosovar në botë, janë të vendosura për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. ShBA kanë dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj. ShBA mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, si e vemja rrugë drejt paqes dhe sigurisë, dhe po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën.
/ rtsh.al /