Nikolliç: Serbia do zbatojë marrëveshjet me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ka thënë se vendi i tij është i angazhuar plotësisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ashtu si edhe në zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën.Këto komente Nikolliç i ka bërë gjatë takimit në Beograd me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak.
Ky i fundit ka thënë se pret nga Qeveria e re e Serbisë që të dalë me “strategji konkrete dhe me plan për zgjidhjen e problemit të Kosovës”.Lajçak ka thënë se është i kënaqur që Serbia është e vendosur në zbatimin e reformave në rrugën drejt BE-së dhe ka porositur se në këtë drejtim do të ketë përkrahje
Ndërkaq edhe drejtuesi i ri i delegacionit serb, Dejan Paviqeviç thotë se prioritet kryesor i delegacionit serb në dialogun teknik me Prishtinën do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani.
Nga ana tjetër kryeministri serb Ivica Daçiç, gjatë fjalës së tij në Forumin për Siguri, i cili po zhvillohet në Beograd u shpreh se “Serbia duhet të ngrejë ura mirëbesimi mes Beogradit dhe Prishtinës.
Dialogu me Prishtinën për zgjidhjen e problemeve të të gjithë qytetarëve do të vazhdojë mbi bazat e Rezolutës 1244 të KS të OKB, me ndihmën e Bashkimit Evropian. Luftërat në Ballkan kanë përfunduar, ndërsa tani duhet parë mundësia për zgjidhjen paqësore të problemeve dhe çështjeve të hapura.Por secili që e njeh Ballkanin e di se konfliktet mund të rishpërthejnë në një të ardhme të largët”, tha Daçiç.
Sipas tij, Serbia është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut mbi bazat e Rezolutës 1244.