E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi i Serbisë, Vuçiç: Kushti i parë, Kosova

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiç, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka shfaqur shpresën se vendi i tij do të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian kah mesi i vitit 2013.

Zyrari serb, në një takim me gazetarët në Beograd, ka pranuar se Kosova është kushti i parë për aspiratat evropiane të Serbisë.

“Nëse më pyesni se cili do të jetë kushti kryesor për datën e fillimit të negociatave, do të jetë ajo që për ta ka më shumë rëndësi Kosova, dhe mënyra se si do t`i zgjidhim problemet, sidomos në veri të Kosovës”, ka thënë Vuçiç.

Ditë më parë, zyrtarë gjermanë kanë kërkuar nga Serbia që të lidhë kontratë me Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.

Vuçiç ka thënë se kushte të tjera për Serbinë janë edhe “çështja e terrorizmit ndërkufitar dhe Islami radikal”, ashtu si edhe goditja e korrupsionit.

“Nuk do të na lejojnë as t`i afrohemi BE-së pa krijimin e sistemeve dhe mekanizmave për luftë të ashpër kundër korrupsionit”, ka thënë Vuçiç.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›