E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, kapet hajduti i shtyllës elektrike

Të vjedhësh një shtyllë metalike të tensionit të lartë është njëlloj si të fusësh xhaminë në thes, siç  thotë populli. Kështu ka vepruar edhe shtetasi nga fshati i Metoqit, i cili është specializuar në grabitjet e shtyllave të tensionit të lartë. Sipas burimeve policore lokale, grabitësi e ka rastin e tretë të shkuljes dhe çmontimit të shtyllave 10 metra të ndërtuara me material metalik, të gatshme për tregun e metaleve për Skarap. Identifikimi dhe prangosja e vjedhësit është realizuar, brenda 24 orëve pas denoncimit të drejtorit të OSSH, Arben Kasapi, bërë në policinë e Sarandës. Në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm është bërë ndalimi në kushtet e flagrancës ndaj shtetasit Gëzim Sulo, 32 vjeç, banues në Metoq, fshat në administrimin e Bashkisë së Sarandës. Gëzim Sulo, në zbatim të nenit 134 / 1 të Kodit Penal, akuzohet për veprën e vjedhjes së pronës shtetërore, shtyllën e tensionit të lartë në afërsi të radiostacioni në fshatin Çukë. 32- vjeçari, ka pranuar se vepra është kryer prej tij, duke u justifikuar se veprimin e kishte kryer për shkak se familja e tij jetonte në kushtet e varfërisë dhe shitja e sasisë së hekurit të shtyllës do të zgjidhte përkohësisht nevojat e familjes. Por sipas burimeve të policisë, brenda një harku kohor të shkurtër, personi 32- vjeçari e kishte kryer të njëjtën vepër edhe dy herë  të tjera dhe kishte shpëtuar pa u zbuluar. Dokumentet dhe dëshmitë në ngarkim të Sulos, kanë kaluar në administrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për tu plotësuar për gjykatë si provë në fajësinë e tij. Vlera e regjistruar e shtyllës së tensionit të lartë në inventarin e OSSH është 25 mijë lekë të rinj. Vjedhja përmes shkuljes nga vendi dhe  transporti i saj ka shkaktuar ndërprerjen e rrymës elektrike të 11 kilovotshit në zonën që lidh nënstacionin elektrik të Qafë Gjashtës me fshatrat në pellgun e fushës së Vurgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›