Kongresi i ri sfidon Obamën

Ligjvënësit republikanë, të cilët e kundërshtojnë shumicën e agjendës së presidentit amerikan, Barack Obama, dje formalisht morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Republikanët e fituan shumicën e 435 ulëseve në zgjedhjet e nëntorit.
Demokratët ende e kanë kontrollin në Senat, por jo me një shumicë që e kishin para zgjedhjeve.
Obama i ka ftuar republikanët dhe demokratët që të punojnë së bashku, për t’a ndihmuar administratën e tij që të krijojë vende të reja pune për amerikanët.
Obama është kthyer në Washington pas një pushimi të zgjatur me familjen në Havai. Presidenti amerikan po fillon pjesën e dytë të mandatit, ndërsa ka thënë se do të përqendrohet tek ekonomia dhe tek vendet e punës.
Ndërkohë, Obama do të përballet me opozitën republikane, që synon të zhbëjë një nga arritjet e tij më të mëdha legjislative, si dhe me sfida në politikën e jashtme.
Pushimi që Obama pati në Havai do të zëvendësohet së shpejti me kthimin në atmosferën partiake të Washingtonit, ndërsa presidenti ballafaqohet me ndryshimin në baraspeshën e pushtetit, ngaqë republikanët kanë fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Sesioni i 112-të i Kongresit filloi dje. Arritjet që Obama mund të ketë realizuar nga kompromiset legjislative me republikanët javë më parë, do të vihen në provë, ndërsa ai punon për të parandaluar prishjen e reformave të tij historike të shëndetësisë.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë premtuar të fillojnë debatet qysh këtë javë për një masë që propozon shfuqizimin e reformës së shëndetësisë, me mundësinë që të votohet nga mesi i javës së ardhshme. Demokratët janë zotuar të luftojnë për ruajtjen e dispozitave kryesore.
Në një paraqitje në programin televiziv Fox News Sunday, kongresmeni Fred Apton, kryetari i ri republikan i Komisionit të Dhomës për Energjinë dhe Tregtinë të Dhomës së Përfaqësuesve, sugjeroi se diferenca në vota mund të jetë e mjaftueshme për të rrëzuar edhe veton presidenciale.
“Nuk mendoj se do të jemi larg mundësisë për të rrëzuar veton e presidentit”, tha Apton.
Por analistët politikë thonë se edhe nëse masa për shfuqizimin e kujdesit shëndetësor kalon në Dhomën e kontrolluar nga republikanët, miratimi do të jetë kryesisht simbolik. Legjislacioni me siguri do të dështonte në Senat, ku demokratët dhe të pavarurit do të kenë sërish shumicën me 53 kundrejt 47 votave.
Sekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha sërish se republikanët do të ndërmarrin hapa politikisht të rrezikshëm për të prapsur aspektet popullore të reformës së presidentit Obama në shëndetësi. Gibbs përmendi ndër ato aspekte mbulimin e zgjeruar të shpenzimeve të kujdesit për fëmijët dhe për ato probleme shëndetësore që njerëzit i kanë pasur para pajisjes me sigurim shëndetësor.
Presidenti Obama ballafaqohet me sfida edhe nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr nga kryetari i ri i Dhomës, John Boehner, i cili është zotuar të shkurtojë ato shpenzime qeveritare që ai i quan të panevojshme.
Përfaqësuesi republikan nga Kalifornia, Darell Isa, i cili do të kryesojë një panel kyç të hetimeve, Komitetin e Dhomës për Mbikëqyrje dhe Reformën Qeveritare, premton se do të hetohen një sërë çështjesh, përfshirë shpenzimet dhe cilësinë e punës.
Presidenti Obama ka thënë se nuk është kundër eliminimit të programeve qeveritare që nuk funksionojnë, por se do të kundërshton ashpër shkurtimin e investimeve në arsim dhe në fusha të tjera, që ai i quan kritike për rritjen e ardhshme ekonomike.
Në një konferencë shtypi muajin e kaluar, para se të shkonte me pushime, presidenti Obama u shpreh se nuk ishte “naiv” që të mendonte se nuk do të kishte polemika të ashpra në të ardhmen, por shtoi se priste më shumë bashkëpunim nga republikanët.
“Kemi dëshmuar, pas zgjedhjeve të nëntorit, se kemi aftësi jo vetëm për të bërë përparim, por për të bërë përparim së bashku”, ka deklaruar Obama.
Presidenti fillon pjesën e dytë të mandatit të tij i inkurajuar nga përfitimet në bursën amerikane, por akoma i shqetësuar nga papunësia e lartë, që është rreth 9,8 për qind. Anketat kryesore me mendimin e qytetarëve, pak para kthimit të tij në Washington, dëshmuan se përkrahja për presidentin ishte afro, ose nën 50 për qind.