E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Festa e Birrës në Korçë. “Birra Korça” promovon një birrë të re

KORCE – Ka nisur në qytetin e Korçës, festa e birrës, e shndërruar tashmë në një festë tradicionale. Festa, që shënon edhe kulmin e sezonit turistik në këtë qytet, është çelur nga kryebashkiaku Niko Peleshi dhe ambasadori gjerman në vendin tonë Hoffman. 

Ambasadori gjerman e vlerësoi festën e birrës, si festën më të bukur që njeh, duke vlerësuar njëkohësisht edhe cilësinë e “Birrës Korça”.

“Provova ‘Birra Korçën’, ka cilësi të shkëlqyer, edhe familja ime e pëlqeu shumë. Dy shishe të ‘Birra Korçës’ udhëtuan në Gjermani.”- u shpreh ambasadori gjerman.

Surpriza e festës ka qenë një birrë e re, e përsosur tashmë në cilësi dhe origjinalitet dhe që është promovuar mbrëmjen e sotme. “Birra Korça” padyshim që është mbizotëruese në këtë festë, duke sjellë sërish suksesin e padiskutueshëm.

E konsideruar si një nga eventet më të mëdha, festa e birrës në Korçë do të zhvillohet nga data 14 deri 18 gusht në parkun “Rinia”. Organizatorët dhe në këtë edicion të shtatë të festës së birrës, kanë premtuar një larmi aktivitetesh në 5 netët e festës.

“Birrat do të jenë të shumëllojshme, sigurisht numrin më të madh të çadrave do ta zerë "Birra Korça", birra e qytetit, por edhe birra të tjera. Ne jemi duke punuar për infrastrukturën, që këtë radhë do të jetë komplet ndryshe. Birrat do të akomodohen në stenda më të mira, më komode, duke krijuar dhe lehtësi shërbimi për të gjithë konsumatorët aq të shumtë në festën e birrës. Njëkohësisht jemi duke punuar për të ngritur një strukturë kampingu, diçka e re kësaj here. Duke iu ofruar mundësinë vizitorëve në qytetin e Korçës të shijojnë festën e birrës edhe me një mënyrë tjetër. Pastaj dhe shoë këtë radhë do të jetë fantastik, mund të them. Kemi emra shumë të njohur të muzikës shqiptare, por jo vetëm. Natën finale ne do të kemi, falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane, dhe kitaristin e “Guns N' Roses”, Ron Thal Bumblefoot”- deklaroi Sofjola Kotelli, drejtoresha e turizmit Bashkia Korçë.

Festa e birrës në Korçë ka bërë jehonë brenda dhe jashtë vendit, çka vërtetohet më së shumti edhe me një “bum” prenotimesh në hotelet e qytetit dhe rrethinat përreth. Sipas të dhënave, turistët vendas dhe të huaj kanë mbyllur prenotimet para muajit maj në hotelet e Korçës.

(d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Festa e Birra Korça sjell kitaristin e “Guns n’Roses”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›