E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministritë e LSI, Vasili: Përgjegjësi të reja, asnjë kompleks nga qeveria e kaluar

TIRANE - Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili komentoi në “News24” vendimet e fundit të qeverisë, akuzat e kryeministrit Berisha për mazhorancën e re si dhe mundësinë për të drejtuar grupin e ri parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

I ftuar në rubrikën “Opinion” me gazetarin Denis Minga, zoti Vasili theksoi se LSI-ja pa asnjë lloj kompleksi nga qeveria e kaluar, ka marrë përgjegjësi të mëdha në qeverinë re, duke u shprehur i bindur se falë eksperiencës së anëtarëve të kësaj partie do të garantohen ritme më të shpejta të reformave. 

Do doja të flisnim për qeverinë. Dy vendime kanë bërë më tepër buje në media. Vendimi për SHQUP-in, a është normale që t’i kushtohet kaq vëmendje një partie politike në Shqipëri?
Ka një anormalitet të spikatur në këtë çështje. Edhe pretendimi mbi të cilin është ngritur ky vendim pa logjike, më idenë se toka paska pronarë. Nëse PD do t’i fitonte zgjedhjet pronarët që u duken do zhdukeshin sërish. Çështja qëndron, cilat janë institucionet në funksion të ushtrisë shqiptare, anëtare e NATO-s, të cilat do të mendojnë për ushtarakët. Vendimi është i gabuar, pa logjikë.
Si ç’bëhet një vendim i qeverisë së mëparshme?
Qeveria e re merr në shqyrtim bazën ligjore, interesin konkret, strategjinë e ushtrisë dhe mbi arsyet përkatëse sigurisht anulon një vendim dhe merr një vendim tjetër. 
Mjafton vetëm një vendim qeverie?
Anulohen koncesione gjigande, privatizime të mëdha kur ka shkelje ligjore, dhe jo dhënia e një ambienti.
Mos vallë ne po bëjmë hapa pas përsa i përket demokracisë, pasi sot kemi një sistem me tre parti dhe 3 liderë. A ka kaq vlerë një parti politike në Shqipëri dhe a është ky një hap pas për demokracinë?
Çdo vend ka liderët e tij, ka një apo dy tre lidera. Nuk është çështja e të qenit të liderëve. Raporti i partive me respektin e demokracisë dhe përgjegjshmërisë ndaj shtetit, ndan forca politike të përgjegjshme dhe të papërgjegjshme, forca me integritet moral dhe pa integritet moral. Po të japim një shembull, shembulli i SHQUP-it, mënyra e marrjes së vendimit, nxitimi, marrja në momentin e humbjes së zgjedhjeve, e gjithë kjo bën pjesë në vendimet e papërgjegjshme. Rolin e partive e përcakton Kushtetuta e një vendi, sjella e tyre i ndan në të tilla dhe të atilla dhe bashkë me të kanë dhe ndëshkimin e votës popullore. 
Po vendimi tjetër për mbetjet, a mund të zhbëhet nga qeveria e re?
Është një vendim delikat dhe vendimi për mbetjet lind dhe bazohet mbi një ligj për mbetjet të miratuar pak kohë më parë nga parlamenti. Këtu i takon mazhorancës së re, është një akt kolektiv i qeverisë. Duhet rimarrë e shqyrtuar, kudo ku ka tejkaluar hapësirat e ligjit, ku cënon ekuilibrat ekologjike dhe shëndetin e shqiptarëve, mund të anulohet nga qeveria e re.
Zoti Berisha tha se janë 2 qeveri, mori spunto nga takimet e ndara që Rama dhe Meta bënë me ministrat e tyre...
Nuk kanë qenë takime të ndara. Zoti Rama bëri një vizitë në Turqi, i shoqëruar nga zoti Haxhinasto, Beqja, Tahiri, Bushati. E thënë e gjithë kjo, gjithë kjo fabul bie në tokë. Komentet e Berishës janë komente verore. Duket sikur nën hijen e çadrës së plazhit shkruan njeriu. Zoti Berisha s’ka qenë me dy koka kur qeveriste me zotin Nard Ndoka. 
Përsa i përket ministrave të LSI-së, nuk keni dashur të drejtoni dikasteret që drejtonit në qeverinë Berisha?
LSI drejton një ministri tepër të rëndësishme, siç është transporti, një ministri tepër të rëndësishme si ministria e zhvillimit rural. Programi ynë ka pasur në fokus bujqësinë. Ka marrë në mënyrë të natyrshme ministrinë e integrimit, që është dimensioni ynë , për të cilin kemi lindur dhe është më i qënësishëm. Ka marrë një barrë përgjegjësie shumë të rënda, të cilat falë eksperiencës së anëtarëve tanë, garanton rimte shumë të shpejta të reformave. Kjo është një marrje përgjegjësish të reja, në dimension të ri dhe asnjë lloj kompleksi nga qeveria e kaluar.
Tre ministra kanë qenë edhe më parë, ju kishit ambicie për të qenë sërish pjesë apo është një lloj marrëveshje mes jush dhe zotit Meta?
Po të jemi logjikë dhe shumë gjakftohtë, kryerja e detyrës së ministrit siç duhet është një impenjim shumë i vështirë, i rëndë dhe me dilema që të bëjnë të jesh sypafjetur lidhur me suksesin e domosdoshëm që duhet të realizosh. Qytetarët presin rezultate. LSI ka sot një dimension si kurrë më parë të një përfaqësimi parlamentar. Ky dimension parlamentar i LSI do të shprehë një performancë të jashtëzakonshme, të spikatur, ku do të prodhojë politike të mirë, të dobishme. Do të flasim me gjuhën e qytetarëve. 
Mos vallë do të jeni kryetar i grupit parlament të LSI-së?
Këtë çështje nuk e vendos unë, grupi dhe forumet kur të mblidhen do zgjedhin të gjitha funksionet që realizojnë dimensionin parlamentar të LSI-së. Kërkojmë me insistim që republika parlamentare e Shqipërisë të rikthehet në parlament, opozita të bëhet në parlament. Parlamenti të rikthehet në dimensionin, seriozitetin që i takon, gjë që i ka munguar dhe ka krijuar dhe pjellë probleme të përditshme.
Duke patur parasysh rregullin që ministrat nuk duhet të jenë deputetë, a nuk ju duket disi e padrejtë që qytetarët ju kanë votuar për disa emra dhe ju sillni emra të tjerë?
Ne tek qytetarët, nëse jemi korrekt me njëri-tjetrin, kemi shkuar me një listë deputetësh dhe u kemi kërkuar votën për këtë ekip. Ka votuar LSI dhe kjo sasi votash, nëse marrim Fierin, ka prodhuar dy deputetë. Nëse jashtë kësaj liste futeshin emra të tjerë që nuk ekzistonin do të përbënte diskutim. Votimi ka qenë proporcional, logjika e proporcionalit është skuadra fituese. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera LSI: Vendimet e qeverisë do rishikohen. Spastrim në administratë? Jo filozofi e jona

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›