Nis Festivalii filmit për të Drejtat e Njeriut
Për të katërtin vit rradhazi Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” do të organizojë Festivalin Ndërkombëtar të filmit për të Drejtat e Njeriut. Nga datat 29 shtator - 3 tetor do të shfaqen në kinemanë “Marubi” 37 filma nga e gjithë bota, që hedhin dritë mbi çështjet e të drejtave të njeriut kudo në botë, fenomene të ngjashme edhe për shoqërinë shqiptare. Një pjesë e këtyre filmave që do të prezantohen nga vetë kineastët janë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në festivalet e të drejtave të njeriut nëpër botë. Filmat e përzgjedhur që do të shfaqen gjatë pesë ditëve të festivalit, do të sjellin tabllo rrënqethëse nga jeta e përditshme, trajtojnë dhunën në familje, problemet e minoritetit, temën e homoseksualitetit. Në ditët e festivalit, kur kinemaja e Akademisë “Marubi” do të jetë e hapur për të gjithë, do të projektohen edhe filma mbi jetën e gazetarëve, mbrojtjen e tyre për shkak të detyrës si dhe lirinë e shprehjes.