E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takim me përfaqësues të Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë priti sot në takim delegacionin spanjoll të Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe zhvillim, në përbërje të të cilit ishin edhe deputetë të Parlamentit të Spanjës.
Për Kryetaren e Kuvendit marrëdhëniet mes dy vendeve tona mesdhetare janë të mira por duhet të njohin nivele të reja më të larta bashkëpunimi. Duke ndarë të njëtjtin mendim, përfaqësuesit e delegacioni spanjoll theksuan se vizita e Kryetares së Kuvendit para pak kohësh në Spanjë bëri një impresion shumë të mirë në Senatin dhe Parlamantin spanjoll.
“Kjo vizitë pati efektin e saj shumë pozitiv, thanë ata, pasi pa mbërritur ju Shqipëri, Spanja ratifikoi protokollin e NATO-s.”
Duke bërë një prezantim të shkurtër të zhvillimeve në vend Kryetarja e Kuvendit tha se:
“Shqipëria është tashmë në një stad të ri, anëtare e NATO-s ndërsa ka paraqitur kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE. Vendi sapo ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të cilat janë çertifikuar nga raportet ndërkombëtare me vlerësimet mirë dhe shumë mirë në 93 përqind të qendrave. Ndër arritjet gjatë katër vjeçarit të kaluar, Kryetarja e Kuvendit veçoi rritjen ekonomike që vijon të jetë pozitive, mbajtjen e inflacionit nën kontroll, dyfishimin e buxhetit dhe rrogave, investimet në infrastrukturë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe evazionit fiskal edhe përmes procedurave elektronike.
Duke u ndalur në rolin dhe punën e parlamentit, Kryetarja e Kuvendit tha se “Parlamenti është arena e debatit ku bëhen negociata e kompromise dhe në mandatin e kaluar ne kemi arritur konsensuse të mëdha.”
Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, përfaqësuesit e delegacionit spanjoll thanë se njohin historinë e vështirë të izolimit të Shqipërisë dhe përpjekjet për liberalizimin e vizave. Ata konfirmuan mbështetjen e plotë për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›