E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria do të mbështesë anëtarësimin e Bosnjes në NATO

Në vijim të vizitës së tij në Neë York, Kryeministri Berisha, zhvilloi një takim me Presidentin e Bosnje Hercegovinës, zotin Zeljko Komsic. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Komsic u shprehën se është një kënaqësi që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, veçanërisht ato politike. Të dyja palët ranë dakord, gjatë bisedës, që të punohet përmes vizitave të nivelit të lartë, për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët, në kuadër të një bashkëpunimi mjaft të rëndësishëm rajonal.
Kryeministri Berisha theksoi se Bosnjë Hercegovina ka bërë hapa përpara në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe Shqipëria do të mbështesë integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Kosmic nënvizuan se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina ndajnë bashkë objektivin madhor të anëtarësimit në NATO dhe si rrjedhim edhe përmbushjen e standardeve dhe kritereve për realizimin e këtij objektivi, ndaj bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencës reciproke është shumë e rëndësishme.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Kosmic me reformat dhe arritjet në fushën ekonomike, duke nënvizuar se disa kompani të vendit mik tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe se Shqipëria mirëpret dhe mbështet që të tjera kompani të vijnë e të investojnë, duke shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fusha të ndryshme si turizmi, infrastruktura, energjia etj.
“Të dy vendet kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi, projektet rajonale duhet të jenë intensive dhe të shfrytëzojnë këto potenciale”, u shpreh Kryeministri.
Presidenti i Bosnjë Herecegovinës falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe u shpreh se rruga e përbashkët duhet të jetë drejt Bashkimi Evropian dhe se ai mbështeste projektet rajonale të cilat do të ndihmojnë në realizimin e këtyre qëllimeve madhore.
Gjatë vizitës së tij në Neë York, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Milo Djukanovic. Gjatë bisedës, të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis të dy qeverive dhe vendeve, si dhe gadishmërinë e qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për forcimin e mëtejshëm të marrdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryeministri Djukanovic e përgëzoi Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit 2009. “Jam i bindur se qeveria juaj do të vijojë punën e deritanishme në interes të së mirës për popullin shqiptar dhe integrimit të Shqipërisë në BE” - u shpreh Djukanovic. Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve, Kryeministri Berisha dhe homologu i tij Djukanovic ranë dakord që të dy qeveritë, të fillojnë një projekt të përbashkët, shumë të rëndësishëm infrastrukturor, midis Mali të Zi dhe Shqipërisë, thellimin e shtratit të lumit të Bunës dhe rikthimin e Bunës në një lumë të lundrueshëm, i cili do t’i shërbejë interesave të qytetit të Shkodrës dhe rajonit përreth për transport ujor.

Pas vënies në funksionim me sukses të pikës doganore kufitare të përbashkët të Muriqanit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Djukanovic diskutuan gjithashtu për krijimin e një regjimi të veçantë për lëvizjen e lirë ndërmjet të dy vendeve në veçanti në periudhën e verës dhe pikut turistik, duke patur parasysh faktin që të dy vendet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në destinacion të preferuar të turistëve nga rajoni e më gjerë. Gjithashtu të dy kryeministrat ritheksuan vendosmërinë e tyre dhe të qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për të bashkëpunuar ngushtë në fushat e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme rrugore që lidhin të dy vendet, por edhe në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes të mjedisit. Duke patur parasysh ecurinë e të dy vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, të dy kryeministrat shprehën vendosmërinë për bashkëpunim të ngushtë e shkëmbim përvojash ndërmjet të dy qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve në këtë fushë. Kryeministri Djukanovic e falenderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe Kryeministri Berisha i shprehu homologut Djukanovic përkrahjen e Shqipërisë për përpjekjet e Malit të Zi për anëtarësim në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›