E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Ramazani, Muca i uron besimtarëve: Agjërim të mbarë!

TIRANE- Sot në ditën e parë të muajit të madhërishëm të Ramazanit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça ka përshëndetur mbarë besimtarët myslimanë shqiptarë, duke i siguruar ata se ky muaj do të begatojë shpirtrat dhe mendjet e të gjithë besimtarëve.

Në përshëndetjen e tij Muca thekson: "Të nderuar besimtarë kudo që ndodheni brenda dhe jashtë Shqipërisë; ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen e muajit të bekuar dhe të madhërueshëm të Ramazanit. Ramazani i këtij viti erdhi që të ringjallë shpresat e besimtarëve muslimanë e t’i forcojë ata edhe më shumë në besnikërinë dhe përkushtimin ndaj Zotit.

Me anë të agjërimit të Ramazanit më së miri shprehet besimi, sinqeriteti, humaniteti, solidariteti…virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar. Ky muaj erdhi që të begatojë shpirtërat dhe mendjet tona, që të krijojë një atmosferë mirëkuptimi, mirësjelljeje, devocioni; një atmosferë bujarie e paqtimi duke na emancipuar në veprat dhe mendimet tona. I uroj besimtarëve myslimanë agjërim të mbarë e të lehtë, paçin mirësinë dhe begatinë e Allahut në këtë muaj të shenjtë." 

Në Shqipëri falë bashkëjetesës fetare, tolerancës, harmonisë dhe mirëkuptimit fetar, muaji i bekuar i Ramazanit po bëhet gjithnjë e më shumë koherent jo vetëm për besimtarët myslimanë, por për mbarë shoqërinë dhe pjesën e jetës kulturore e shpirtërore të vendit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në kuadër të këtij muaji ka organizuar programe televizive, rubrika e biseda fetare në mjedise të hapura e studio, transmetime të ezanit dhe ceremonive të tjera. Këtyre i shtohet edhe përgatitja e kalendarëve, posterave, banerave dhe reklamimeve të tjera gjithnjë në shërbim të këtij muaji të bekuar e vlerashumë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›