E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Supeliga, bashkë me topin dhe intrigat

Tani fjalën e ka topi. Futbolli shqiptar sot rinis për herë të 70-të. Një kampionat jubilar. Me Dinamon që nis mbrojtjen e titullit kundër Teutës në "Selman Stërmasi", atje ku dhe fitoi trofeun e 17-të e te Vllaznia, që pasi është ndeshur me Napolin e Serisë A në "Loro Borici" pret rekordmenët shqiptarë, Tiranën. Një sezon i ri me ambicie dhe objektiva të rinj, si për dy trofetë, titullin kampion e fitimin e Kupës së Shqipërisë (edicioni i 57-të i saj), por dhe për të mbijetuar në elitën e 12 më të mirëve.
EUROPA – Llogaritë, si për shpenzimet marramendëse në merkato ashtu dhe për të përcaktuar ekipet e mëdha, kanë një objektiv: Zona Europiane. Liga e Kampioneve, Kupa UEFA e ajo Intertoto (në edicionin e saj të fundit) janë ato që intrigojnë gjithcka në "topkëmbën shqiptare. Europa. Ajo që kthen futbollin shqiptar te kufijtë e rivalitetit, por dhe që prodhon edhe "akuzat". Të qenit në kompeticionet ndërkombëtare është një mundësi e mirë për klubet për të kompensuar sadopak financat e varfra të klubeve. Prandaj të gjithë grinden shpesh. Zyrtarët me deklarata e futbollistët në fushën e lojës. Ndonjëherë ndodhin edhe grushtet. Shpesh edhe penalltitë e dhuruara.
MBIJETESA - Lufta për mbijetesë është akoma dhe më e fortë. Lum kush ka këllqe e miq. Dy vendet e fundit në fund të sezonit do tu duhet t'i japin fund pranisë së tyre në Superiore, ndërsa dy të tjera, ato që do të renditen në vendet 9-10, do të luftojnë për "jetë a vdekje" në "play-out" me dy vendet 3-4 e të Kagorisë së Parë për të kompletuar listën e ekipeve për sezonin 2009-2010. Një luftë e vërtetë për ti shpëtuar dy vendet e fundit, pak "oksigjen" më shumë për dy vendet 9-10.
MERKATO - Skuadrat kanë shpenzuar jo pak në merkato, pavarësisht se lëvizjet kanë qenë më shumë "largim" nga një ekip e "afrim" te një tjetër. Lila lë Besën për Tiranën, Shehi shkon te Elbasani e rikthehet sërish te Partizani. Të kuqtë përjashtojnë Shkëmbin e Beqirin. Gjithsesi, edhe "legjionarë" kanë mbërritur në Shqipëri: sulmuesi Migen Memelli nga Gais i Suedisë te Tirana e sulmuesi tjetër Sabino Plaku nga Hamkam i Norvegjisë te Dinamo (i huazuar) pritet t'i japin bukuri futbollit tonë.
SHTEGËTIMET – Megjithatë, futbollit shqiptar do t'i mungojë këtë sezon finesa e Klodian Duros (tashmë te Omonia Nikosia e Qipros), virtuoziteti i Jahmir Hykës (Mainc 05, Gjërmani) apo dhe potenca në sulm e Xhevair Sukajt (Genclerbirligi, Turqi).
KROATËT – Si kurrë më parë (një rekord ky) në bankinat shqiptare janë ulur tre trajnerë kroatë: Zllatko Dalic te Dinamo (sapo fitoi Superkupën), Blazh Slishkovic te Tirana (synon dy trofetë) e Slavko Kovacic te Flamurtari (në sezonin e tij të dytë). Bankinat e tjera kanë ndryshuar jo pak: Mirel Josa është te Elbasani, Agim Canaj te Vllaznia, Sulejman Starova te Teuta. Të palëvizurit janë shumë pak: Hasan Lika (Partizani), Gugash Magani (Shkumbini), Iljaz Haxhiaj (Besa).
ABRAHAM – Cili ekip merr në forcë nigerianin Abraham Alcheveny ai fiton titullin. Mbrojtësi i majtë mban një rekord unikal. Është lojtari i vetëm i huaj që ka fituar titullin kampion rresht me tri skuadra të ndryshme: Elbasanin (2005-2006), Tiranën (2006-2007) e Dinamon (2007-2008). Nigeriani është pjesë e Tiranës, klubit më të pasur në Shqipëri. Të vazhdojë të thellojë rekordin? Pse jo.
NUMRAT
12 - Ekipe marrin pjesë në Kategorinë Superiore
3 -Faza me nga 11 ndeshje ka kampionati kombëtar
198 - Ndeshje në total do të zhvillohen gjatë 3 fazave

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›