Ilir Suli: “Pekini, një dështim për t’u korrigjuar”

"E lë sportin kur të kem marrë edhe një medalje tjetër. Do t'i cudis të gjithë". Peshëngritësi i madh Ilir Suli me vendin e pestë në Lojërat Olimpike "Sidnej 2000" është sportisti shqiptar me rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në gjashtë përfaqësime olimpike të Shqipërisë. Një arritje, që përbën edhe "rekordin kuqezi" në arenën më të madhe botërore, sic konsiderohen olimpiadat, atje ku "piketohen" të gjitha ëndrrat e gjeneratave të tëra sportistësh. "E rëndësishme të marrësh pjesë", thuhet zakonisht. Por, për Ilir Sulin e rëndësishme është të jesh i suksesshëm. Vendi i tretë në stilin e shkëputjes (një bronz), por i pesti në dygarësh, atje dhe ku klasifikohet renditja e përgjithshme e ndahen medaljet. Peshëngritësja e talentuar Romela Begaj, e para femër shqiptare e "hekurave" në Lojërat Olimpike, u rendit e gjashta në dygarësh (e 4-ta në stilin e shkëputjes dhe e 7-ta në atë shtytjes), duke bërë edhe përfaqësimin më të mirë nga 11 sportistët pjesëmarrës në Lojërat e 29-ta Verore. Ilir Suli konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e shtangës shqiptare. "Albania-sport.com" bisedoi nënkampionin e Mesdheut, Ilir Suli, dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, në "Atlanta 1996" dhe në "Sidnej 2000", rreth përfaqësimit të Shqipërisë në olimpiadën kineze.
Suli, jeni dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, ato "Atlanta 1996" dhe "Sidnej 2000", duke qenë edhe olimpisti i vetëm shqiptar që keni mundur të renditeni ndër pesë më të mirët në botë, cka përbën edhe rezultatin më të mirë të Shqipërisë në gjashtë pjesëmarrjet olimmpike. Sa afër e ndjeni atë rezultat?
- Në Lojërat Olimpike të Altantës, atëherë 20 vjec, shkova vetëm me dy javë stërvitje intensive, kjo dhe për shkak të natyrës sime si sportist rebel. Nuk e kam pasur shumë qejf regjimin, por megjithatë ngrita 147 kg në shkëputje dhe 175 kg në peshën 75 kg. Atëherë e kuptova se mund të bëja dicka të rëndësishme në sportin e peshëngritjes.
Pas olimpiadës amerikane shkuat në Greqi, atjë ku ishin edhe Piro Dhima, Luan Shabani e të tjerë emra të njohur. Patët ndonjë ofertë nga grekët?
- Në Greqi kam shkuar me fillimin e ngjarjeve të vitit 1997 dhe jam rikthyer në Shqipëri në vitin 2000, ku dhe shpërtheva më pas në Lojërat Olimpike të Sidnejit në Australi. Në Greqi u morra me peshëngritje, madje më ofruan edhe të merrja dhe nënshtetësinë greke, por duke e pasur të theksuar atdhetarizmin natyrisht që zgjodha atdheun tim. Gjithsesi rrugët i kisha të mbyllura atje, pasi ekipi grek ishte bërë, por as unë nuk kisha shumë dëshirë të garoja për Greqinë . Në të vërtetë, tani pas më shumë se tetë vjetësh edhe gjykoj, se nëse do të më jepej mundësia edhe mund të përfaqësoja një vend tjetër, por kurrë nuk do të jepja ato rezultate që dhashë për Shqipërinë. Kam dhënë gjithcka për këto rezultate.
Lë të kthehemi të "Sidnej 2000", njëherësh edhe rezultati më i madh i Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Cfarë ju mungoi për të marrë medaljen e parë të Shqipërisë?
- Në atë kohë, është për të ardhur keq, por e konsideruan si dështim.
A kishte ndonjë arsye për ta konsideruar si të tillë, kur sot quajmë sukses të madh vendin e gjashtë të kapur nga Romela Begaj?
- Në shumë media përpara se të niseshim në Australi u fol për medalje, pasi dhe unë kisha arritur rezultate shumë të larta gjatë fazës përgatitore, madje 5 kg më shumë se rekordi botëror dhe shtangisti që morri medaljen e artë në peshën time. Rekordi botëror ishte 170.5 kg në shkëputje, ndërkohë që unë kisha shkuar edhe 175 kg. Në provën e dytë që u dogja në 167 kg, atëherë nuk e thashë si argument për t'u shfajësuar për vendin e pestë, tentova të barazoja rekordin olimpik, por pa mundur ta ngre shtangën. Më pas cdo gjë shkoi ters, pasi nuk e realizova provën e tretë. Shikoni, kinezi që u shpall kampion olimpik e mbaroi garën me 160 kg, kur unë e nisa garën me 162 kg. Në rast se do të ngrija 167 kg do të tentoja rekordin e botës me 171 kg. Edhe trajneri im (Shaqiri) ka pak përgjegjësi.
A keni garuar kundër ndonjë shqiptari tjetër në Olimpiada?
- Po, kundër Viktor Mitros në "Sidnej 2000", por ai mbante fanellën e Greqisë. Ai doli nënkampion atje, duke ngritur 165 kg në shkëputje dhe 202 kg në shtytje. Përsa i përket Piro Dhimës shumë specialistë kanë thënë se unë mund ta mundja atë. Por, do të ishte kundër moralit tim ta pohoja unë vetë këtë gjë, përderisa edhe nuk kemi garuar kundër njëri-tjetrit. Një fakt është se Pirro në "Athinë 2004", ai ka marrë medalje (bronzi) me 2.5 kg më pak se ajo që kam arritur unë në rekordin tim personal në dygarësh. I atij është 175 kg e 202 kg, ndërkohë që rekordi im, njëherësh edhe kombëtar është 175 kg e 205 kg.
Shqipëria u përfaqësua me 11 sportistë në Pekin, numri më i madh, ku peshëngritja kishte dhe numrin më të madh me tre të tillë. Një vend i 13-të nga Qerimaj, mjafton për t'i quajtur sukses?
- Peshëngritja gjithmonë ka dhënë rezultate të mira, duke filluar me Ymer Pampurin (Munih 1972). Në Barcelonë ka qënë Dedë Dekaj, Sokol Bishanaku e Fatmir Bushi. Në "Athinë 2004" edhe dy vëllezrit Trasha (Gerti e Theoharis) bënë dicka. Erkandi u tregua një sportist i madh. I qetë, i ngriti peshat normalisht, bëri një garë shumë të pastër dhe me një teknikë të pastër. Pesë prova të realizuara i arrijnë vetëm sportistët cilësorë. Nuk mendoj se ky është maksimumi i Qerimajt, mund të ngrinte edhe 5kg më shumë. Gerti Trasha bëri gabimin fatal. Mund ta fillonte me 127 kg, dhe jo me 136 kg ku dhe dështoi tri herë. Më vjen keq se ai është djalë shumë i mirë, por reflektoi disi edhe defektet që ka pasur me mënyrën e të punuarit në të shkuarën. Faj ka pasur edhe trajneri Cela, mund të kishte vepruar më me zgjuarsi. Për mua ai ka bërë faje dhe jo gabime.
Romela Begaj, e para femër në Lojërat Olimpike dhe kap rezultatin më të mirë të Shqipërisë në Pekin...
- Romela është një talent i pastër. Ka ardhur nga cirku dhe nuk duhet të harrojmë se në Lojërat Mesdhetare të Almerias me vetëm tre muaj sport, dhe më gjithë gabimet e mëdha në teknikë dhe e stërvitur nga një trajner i dështuar si Faruk Kalleshi, arriti të fitojë medaljen e bronzit falë punës dhe talentit të saj. Trajneri i saj aktual Hektor Shaqiri ka punuar vërtet shumë me të dhe e coi te suksesi. Megjithatë dua të them, se në garën e Romelës 12 veta ishin, dhe femrat janë në olimpiadën e tretë që marrin pjesë. I duhet shumë punë për të fituar medalje katër vjet më pas në Londër. Në Kampionatin Europian në Itali, Romela i kishte të gjitha mundësitë të fitonte medaljen e artë. Të tjerët për mendimin tim, me përjashtim edhe të mundësit Elis Guri e për ndonjë arsye objektive edhe të Said Prizrenit, të tjerët dështuan.
Luan Shabani: "Iliri me këmbët më të forta në botë"
Kampioni i madh shqiptar Luan Shabani, edhe ky si Pirro Dhima ka garuar për Greqinë në Lojërat Olimpike, thotë për Sulin: "Iliri ka pjesët e poshtëme të këmbëve, kërcinjtë, më të fortë në botë, edhe më të fortë se te Pirro Dhimës. Ai mund të bëja cudira nëse do të dijë t'i menaxhojë cilësitë e tij". Suli thotë: "Shumë specialistë më kanë cilësuar si te ‘superfenomenët'. Kjo është një dhunti e zotit dhe nga ana tjetër e përkujdesjes së familjes sime. Një peshëngritës i madh rus më tha një ditë ‘ti mor djalë nuk ngre hekura, ti bën art me to".
Suli, një histori "hekurash"
Mbiemri Suli është një nga më të njohurit në peshëngritjen shqiptare, si për meshkujt ashtu dhe për femrat. "Po është e vërtetë, - thotë Ilir, - xhaxhai im Agroni ka qenë një trajner i zoti. Gerta, vajza e xhaxhait tim, ka qenë një peshëngritëse e njohur dhe hahej me Fetien (Kasaj). Tashmë e ka lënë sportin dhe ka bërë mirë sipas mendimit tim, pasi nuk kam dashur që ajo të mërrej me peshëngritje. Hyri me dëshirë dhe doli po me dëshirë. Nuk më pëlqen peshëngritja për femra. Me hekura janë marrë dhe dy djem xhaxhallarësh. Erion Suli, i cili ka qenë edhe anëtari i ekipit kombëtar ka vdekur para disa vitesh".
6 gramët e "Almeria"-s që i hoqën arin
Ish-nënkampioni i Botës dhe i Europës, Iir Suli, humbi titullin vetëm për 6 gram peshë trupore, në stilin e shkëputjes, pesha 85 kg, ndaj libanezit Eshtiëi në Lojërat Mesdhetare "Almeria 2005". Të dy ngritën nga 167 kg. Suli ishte 84.84 kg, ndërsa libanezi 84.78. Në vend të tretë doli francezi David Matam me 163 kg. Në shtytje, shtangisti ynë, mori medaljen e bronzit. Ilir Suli ka treguar edhe një herë talentin e tij te madh, duke marre medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes, pesha 85 kg. Në "Almeria 2005", Suli fitoi një medalje argjendi dhe një bronzi.
Suli, "borxh" te Konstanca
Iliri ka kaluar disa momente jo të mira, të cilat i pranon edhe ai vetë se kanë ndikuar jo pak në karrierën e tij. Por një njeri ai e cmon më shumë se të gjithë. "Është Konstanca Duka, e fejuara ime. Pa të nuk do të isha ky që jam sot. Më ka ndihmuar në momente të vështira. Është një vajzë përmetare e përsosur. I jam borxh dhe dua t'ia shpërblej. E meriton, pasi ka sakfrikuar shumë për mua. Më ka pranuar me të mirat e të këqijat. Për të u detyrova të dilja në televizion dhe të kërkoja ndihmën e shtetit. Ministri Pango më premtoi, ka nisur të bëjë dicka, ndërsa deputeti Nikollaq Neranxi më punësoi në kompaninë e tij. Të jesh edhe "Nderi i Tiranës, të kesh edhe "Medalje ari" nga Ministria e Sporteve dhe të jetosh në skamje, sikur nuk shkon".
Suli për...
... trajnerin
"Hektor Shaqiri, i cili është edhe trajneri im, është një nga më të mëdhenjtë e peshëngritjes shqiptare. Ka aftësi të dallojë talentet. Ka pasur shumë të tillë nëpër duar. E njeh shumë mirë peshëngritjen, di të bëjë stërvitje dhe di të rregullojë teknikën e ngritjes që është edhe baza për rezultate të larta. Kulmet e rezultateve të tij janë me mua dhe Romelën. Është më i miri dhe më i madhi në treg".
... Pampurin
"Është një shtangist i madh, i pari që ka marrë pjesë në një Olimpiadë në Munih 1972. Ka qenë tre gara atëherë, përfshirë shkëputjen, shtytjen e forcën. Askush nuk e përmend se cfarë vendi ka zënë ai në tregarësh. Ende është një mister. Edhe unë dola i treti në Sidnej në shtytje, por nuk morra medalje. Unë si Ilir ndihem i ofenduar, të quhet ai më i madh, kur unë kam kapur rezultatin më të mirë. Kush të thyejë rekordet e mia, atëherë unë vetë do ta quaj me të madhin"
... shpërblimet
Sportistët elitarë jo pak herë ankohen për kujdesin financiar që tregon shteti, madje kërcënojnë shpesh për një largim nga Shqipëria. Iliri thotë: "Kjo është një histori që përsëritet shpesh. Kjo histori ka vdekur tashmë. Ndoshta Romela si femër mund të ketë mundësi. Nëse i ngrënë hakun, duhet t'ia japin, kërkon djersën e saj. Më mirë të ulin shpërblimin dhe ta punësojnë. Greqia i bën sportistët elitarë ushtarakë, Italia karabinierë. Romela mund të ishte një oficere në Gardë".
... Fetien
"Kasaj është një nga peshëngritëset e mëdha shqiptare dhe po të ishte në Olimpiadë me siguri do të sillte medalje në Shqipëri. Fati i keq i qëlloi që gabonte me përdorimin e substancave të ndaluara. Ca nga padituria dhe ca nga keqpërdorimi që i bëri ish-trajneri i saj u ndëshkua. Më erdhi keq, por besoj se ajo do të jetë e zonja të ngrihet sërish".
... idhujt
Sportistët duket se harrohen shpejt në Shqipëri. Suli e pranon këtë si një të vërtetë të keqe. "Brezat duhet të mësohen me shembujt më të mirë, me emrat më të mëdhenj, dhe të mos ndikohen nga emrat e huaj, por nga ata që nxjerr Shqipëria, pasi këtu jetojnë. Në Shqipëri ke një Erkand Qerimaj e një Romela Begaj, apo dhe një Aleksandër Kondon. Shqipëria ka pasur breza të mirë shtangistësh, ka pasur më nivel, më shumë konkurrencë, kurse si rezultate ka më shumë ky i sotmi. Unë kam idhull Luan Shabanin".