Nis Swikos

Festivali mbahet në sallën Stadt Casino, ku do të shfaqen dymbëdhjetë filma të metrazhit të shkurtër të autorëve shqiptarë. Në edicionin e sivjetmë publiku do të mund të shoh pesë filma nga Kosova, katër nga Maqedonia, dy nga Shqipëria dhe një nga Gjermania.
Filmat pjesëmarrës kosovarë janë “Knowdown”, i Amir Vitisë; “Lena dhe unë” i Blerta Bashollit; “Leonardi”, i Arian Mustafës; “Acropolis”, i Blerdi Malushit; dhe “Rekuiem për Kosovën”, i Dhimitër Ismailajt.
“E veçanta e këtij edicioni është se para producentëve dhe regjisorëve zviceranë do të prezantohen edhe filma kosovarë”, theksoi drejtori i festivalit shqiptaro-zviceran të filmit të shkurtër, Florim Brajshori.
Nga ana tjetër, skenaristi kosovar, Naser Shatrolli, në këtë edicion prezantohet me dy filma, “Kafeneja” dhe “Leonardi”. Ai thotë se, ky festival paraqet një mundësi të mirë për pasimin e kinematografisë kosovare në botë.
“Festivali ku do shfaqen këta filma është një mundësi e mirë për të gjithë filmbërësit, sepse, përveçqë do të takohen me njeri-tjetrin, secili do ta kuptojë se sa është i fortë karshi filmave ndërkombëtarë”, thekson Shatrolli.
Ndryshe, në Festivalin Swikos ndahen shtatë çmime.