Nis aksioni kombëtar i pastrimit në bregdet dhe parqe natyrore

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Në vijim të përgatitjeve për sezonin veror, në të gjitha bashkitë bregdetare të vendit ka nisur sot aksioni kombëtar i pastrimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga aksioni i pastrimit të bregdetit si dhe të parkut të madh natyror në njësinë administrative të Katundit të Ri, Durrës.
Rama informoi se përveç pastrimit të bregdetit në këtë zonë po kryhet edhe plugimi i rërës.
Aksioni kombëtar i pastrimit në bashkitë bregdetare të vendit është iniciuar nga Ministria e Mjedisit, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, atë të Mbrojtjes, bashkitë, organizatat mjedisore dhe qindra vullnetarë.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj e vlerësoi këtë nismë, që i paraprin mbarëvajtjes së sezonit turistik.
“Së bashku po ndërtojmë një bregdet më të pastër, si dhe po mirëpresim një sezon turistik të denjë për Shqipërinë. Së bashku po tregojmë që kujdesi për mjedisin është një vlerë që na bashkon”, u shpreh ai.
Në bashkinë e Vlorës, aksioni është shtrirë në gjithë zonën bregdetare, si dhe në territorin e Pyllit të Sodës.
Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi u shpreh se ky aksion do të vijojë edhe në javët në vijim jo vetëm nëpër plazhe, por dhe në zonat e banuara.
Sipas saj, banorët duhet të sensibilizohen, pasi kjo nismë nuk do të mbetet e izoluar, por do të vijojë edhe në zonat e banuara, përmes aktiviteteve të tjera pastrimi në javët në vijim.
Paralelisht, aksione të ngjashme po zhvillohen edhe në bashkitë e tjera bregdetare si Lezhë, Himarë e Sarandë.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu theksoi se pastrimi i zonave bregdetare është një sfidë që duhet fituar me standarde të larta.
“Sot, të gjitha institucionet e Lezhës janë bërë pjesë e aksionit kombëtar të pastrimit. Puna vazhdon”, shtoi ai.Edhe administrata e bashkisë Kurbin është angazhuar në pastrimin e zonës përgjatë lumit Mat.
Kryetarja e bashkisë, Majlinda Shqalsi Cara, bëri të ditur se “mbrojtja e mjedisit nga ata individë që bëjnë krime duke ndotur pasurinë e përbashkët, mbetet një sfidë e madhe dhe e përditshme e institucioneve shtetërore”.
“Është koha që të reflektojmë dhe të reagojmë me të gjitha mundësitë që kemi. Çdokush që e trajton mjedisin si një ‘kosh të madh’ duhet të marrë dënimin e merituar”, tha ajo.
Në kuadër të këtij aksioni ka nisur po ashtu edhe pastrimi i vijës liqenore të Kukësit.
Bashkia e Kukësit përdori po ashtu një varkë të posaçme për largimin e mbetjeve të grumbulluara në sipërfaqen e ujit të liqenit të Fierzës.
Largimi i mbetjeve veçanërisht në zonat turistike, është domosdoshmëri jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të mjedisit, por edhe parakusht për zhvillimin e një sezoni të suksesshëm turistik.
/m.m/j.p/r.e/