Nis aksioni për çlirimin e buzërrugëve kombëtare, Rama: Asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sërish në rrjetet sociale pamje nga aksioni i qeverisë për lirimin e hapësirave publike, i cili tani po shtrihet edhe në buzërrugët kombëtare.
Ky aksion, që ka nisur prej më shumë se një muaji në të gjithë vendin, synon të rikthejë në funksionin e tyre hapësirat e uzurpuara, si brenda zonave të banuara ashtu edhe në akset kryesore rrugore.
Në postimin e tij, kreu i qeverisë theksoi se programi i ri “Rilindja Urbane 2.0” parashikon jo vetëm heqjen e objekteve të paligjshme, por edhe transformimin e këtyre zonave.
“Ka nisur edhe çlirimi i buzërrugëve kombëtare, duke përcaktuar një kufi tërheqjeje të subjekteve,” shkroi Rama.
Kryeministri bëri të qartë se objektet e vendosura në këto hapësira duhet të hiqen.
“Asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur,” shkruan ai. Përveç kësaj, subjektet që ndodhen pranë këtyre akseve do të duhet të kontribuojnë me gjelbërim, duke e trajtuar hapësirën si pjesë të një shtëpie të përbashkët.
Aksioni i nisur pas 31 korrikut, datë që ishte vendosur si afat për lirimin vullnetar, ka parë ndërhyrjen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për prishjen e objekteve që kanë bllokuar hapësirat publike. Ky operacion masiv po vjen si një vazhdimësi e politikave të qeverisë për rregullimin urbanistik dhe estetik të vendit.
/rtsh.al/