Nis beteja Basha-Olldashi, kryetari i ri i PD zgjidhet më 22 korrik
Berisha: PD ka potencial të madh për tu bërë pushteti moral i vendit
Kryesia e Partisë Demokratike zyrtarizoi dje dy kandidatët të cilët do të garojnë mes tyre për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi do të garojnë mes tyre ndërkohë që në 22 korrik do të jenë anëtarët e PD-së të cilët me votën e tyre do të përcaktojnë se kush prej tyre do të marrë drejtimin e PD, pas largimit të Berishës.
Gara
Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PD, kreu aktual i saj, Sali Berisha teksa prezantoi dy kandidatët zyrtar bëri të ditur se pret një proces dinjitoz i cili do të përcaktojë kreun e ri të PD. Detyra e anëtarësisë së PD është të japë procesin më dinjitoz që ka dhënë ndonjëherë PD. Besoj se të dy kandidatët janë të përgatitur me qetësi të presin verdiktin e anëtarësisë së partisë. Pas kësaj fituesi do ketë të drejtë të ndërtojë lidershipin e ri të PD, natyrisht të propozojë ekipin që do të çojë PD në fitore. Por kryetari i ri do ketë një zë të fuqishëm në këtë çështje, u shpreh Sali Berisha. Në vijim, Berisha përsëriti edhe një herë apelin e tij se askush që mban një post në PD apo në administratë nuk mund të bëjë fushatë për asnjërin prej kandidatëve pa dhënë më parë dorëheqjen nga funksioni që mban.
Opozita
Gjatë mbledhjes së djeshme, Sali Berisha u ndal edhe tek opozita e katër viteve të ardhshme. Berisha tha se PD ka potencial të madh për tu bërë pushteti moral i vendit. Është në detyrën tonë më parësore, flakja mënjanë e mantelit të një force politike në pushtet, përveshja e llërave për tu shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë. PD ka potencialin më të madh sot se kurrë në historinë e saj për tu bërë pushteti moral i vendit për të PD duhet të jetë e vetëdijshëm në çdo qelizë të saj për domosdoshmërinë jetike si opozitë e sigurtë që ecën e sigurtë drejt fitores së radhës. Pikërisht në këtë kuadër, evenimenti më i rëndësishëm është gara për lidershipin e ri, u shpreh kreu aktual i PD, Sali Berisha.
Basha dhe Olldashi: Do pranojmë rezultatin
Pas zyrtarizmit të kandididimit të tyre të dy kandidatët, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha u shprehën për një garë të drejtë ndërsa konfirmuan se do të njohin rezultatin e dalë nga këto zgjedhje. Jam i bindur se do zhvillojmë një garë dinjitoze dhe shumë pozitive, e cila do ti japë strukturës së PD mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë në një vendim me votën e vet të datës 22 korrik. Do e pranoj rezultatin, sigurisht, u shpreh Olldashi. Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Kryesia ka marrë vendimin sot(dje) për zyrtarizmin e kandidaturave Shpreh mirënjohjen time dhe bindjes se do dalim më të bashkuar. Do e pranoj rezultatin, theksoi Basha.
Sokol Paja dhe Astrit Sinanaj dy emra të rinj i bashkohen garës
Jashtë garës për kreun e ri të PD-së, mbeten edhe dy nga kandidatët të cilët kishin deklaruar ditë më parë kandidimin e tyre për këtë post. Kështu Aleksandër Biberaj nuk do të jetë pjesë e kësaj gare pavarësisht kërkesë së tij, madje emri i Biberaj nuk u përmend për asnjë moment në mbledhjen e djeshme. Po kështu edhe kandidati tjetër, i cili u vetë shpall dy ditë më parë, Ilir Nallbani nuk do të jetë pjesë e garës për kreu e ri të PD. Surprizë ishin dy emra të tjerë të pa lakuar më parë në media për kandidimin e tyre. Kështu kryesia vendosi që kandidatët, Astrit Sinanaj, anëtarë i PD, dega Fier dhe Sokol Paja anëtar i PD-së së Tiranës mund të bëhen pjesë e garës në qoftë se do të arrijë të përmbushin kriteret të cilat përcakton statuti i PD.