Moskandidimi i Biberaj, Mustafaj: Berisha shkeli statutin e PD
Moskandidimi i Biberaj, Mustafaj: Berisha shkeli statutin e PD
Ish themeluesi i Partisë Demokratike, Besnik Muastafaj reagoi në rrjetin social Facebook për vendimin e kryesisë së PD-së për moskandidimin e Aleksandër Biberaj. Mustafaj shkruan se me këtë veprim kreu aktual i PD, Sali Berisha shkeli statutin e Partisë Demokratike. Kryesia e Partisë Demokratike bëri sot (dje) një gabim të panevojshëm duke përjashtuar Biberajn nga gara. Berisha shkeli edhe njëherë statutin e partisë. Të tjerët rreth e rrotull treguan edhe njëherë përulësinë e tyre të padobishme duke e miratuar. Të paktën dy kandidatët kryesorë, Basha dhe Olldashi, duhej t’i kishin thënë jo. Askush nuk duhej të ishte më i interesuar se vetë ata të dy që kjo garë të fillonte me një standart të mirë. E humbën këtë rast për të na treguar në radhë të parë ne demokratëve që do të votojmë, por edhe të gjithë shqiptarëve, se do të jenë nesër kryetarë me zërin e tyre. Qysh sot bie edhe shpresa se do të kemi një fillim të ri. Do të kemi thjesht një fushatë të vazhdimësisë dhe mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme, ato vendoret e vitit 2015, sa do të na duan shqiptarët. Në këto rrethana Biberaj personalisht sigurisht që nuk ka nevojë për ngushëllim, shkruan Mustafaj.
Biberaj: Humbësit vijojnë ta konsiderojnë PD pronë të tyre
Aleksandër Biberaj reagoi në rrjetin social Facebook për vendimin e kryesisë së PD-së për mos kandidimin e tij për postin e kreut të PD. Biberaj, akuzon kryesinë e PD, si shkaktare të humbjes së PD në zgjedhjet e 23 qershorit ndërsa shprehet se do të vijojë të mbetet në politikë. Me shpalljen e kandidimit mora të gjithë përgjegjësitë e mia qytetare dhe patriotike përpara demokratëve, shqiptarëve dhe vendit tim. Fatkeqësisht dëshira, vullneti dhe përkushtimi im ndeshën në murin e arrogancës së KOLLTUKOFAGËVE që i shkaktuan demokratëve humbjen e 23 qershorit. Këta humbës të mëdhenj vazhdojnë akoma ta konsiderojnë PD-në si pronën e tyre me të drejtën e trashëgimisë mbi të. Qëndrimi i mëtejshëm i këtyre kolltukofageve në krye të PD-së, do ta dëmtojë rnd imazhin dhe t ardhmen e PD-së. Që nga viti 2008 e kam ngritur disa herë zërin në forumet e PD-së por edhe publikisht duke paralajmëruar për fenomenet negative që po shfaqeshin në qeverisjen e PD-së, por askush nuk mori vesh, dhe ja ku erdhi humbja e 23 qershorit, për të cilën realisht jemi të gjithë të brengosur. Jam futur në politikë me vullnetin tim të lirë më 8 dhjetor të vitit 1990 në moshën 23 vjeçare, dhe jam i sigurtë se do të jem për një kohë të gjatë në politikë për të vazhduar kontributin tim për Shqipërinë. E dua vendin dhe popullin tim. Jam optimist për të ardhmen, shkruan Biberaj.