Një vështrim mbi kryeministrinë, dhe një thirrje për kryeministrin e ri Edi Rama
Opinion nga Aleksandër Ndoja
Është e diel në mbrëmje dhe shëtitorja Dëshmorët e Kombit është e tejmbushur si gjithmonë nga makinat por edhe kalimtarët në të dy anët e saj. Si gjithnjë semaforët ndalojnë dhe nisin fluksin e tyre, ndërsa tek – tuk ndonjë bori humbet ne detin pa fund te kësaj rruge, më kryesorja e Tiranës.
Edhe pse ka shumë godina në të dy anët e saj, sytë më së shumti të ndalojnë te ajo më kryesorja, ku për shumë dekada janë vendosur, ose është luajtur më fatet e vendit, godina e kryeministrisë. Ka kaluar vetëm një javë nga dita kur vota e sovranit nxori nga ajo godinë një palë dhe përcaktoi palën tjetër hyrëse, ndërsa godina është po aty, po kaq hije rëndë, e errët dhe me pamjen e frikshme që ka rrezatuar gjithmonë për shqiptarët, ndonëse këtë herë duket si një qen i rrahur keq edhe pse mbahet në këmbë. Askush nuk preferon ti kalojë pranë, e as të hedhë shikimin mbi të ndonëse tek ajo dritare është sërish me grila gjysëm të hapura, ndoshta që nga koha kur i pari i saj, pas xhamit të blinduar u bënte përshëndetje ironike opozitarëve, paraplegjikëve, të verbërve, apo kur në tarracë shfaqej silueta e Ministrit të Brendshëm si të ishte pastrues oxhaqesh.
Nuk është e vështirë të kuptosh se edhe pse thuhet se për herë të parë u projektua dhe u ndërtua nga italianët, ndërhyrjet në të sidomos nga rusët, i dhanë asaj një performancë të frikshme, e ndoshta bekimin që të ishte ters për shqiptarët, por edhe për vetë të zotët e saj.
A nuk nisi ters me instalimin në të, të një qeverie komuniste me kryesueses Enver Hoxhën që shumë shpejt do të kthehej në një diktator për shqiptarët, edhe pse ky nuk qëndroi shumë kohë në atë godinë, për tu balsamosur për dekada të tëra në godinën përballë, ku edhe asaj sot i ka rënë shkëlqimi nga intervenimi ekselent i Tom Doshit në Shkodër, i cili theu dominancën dhe privatizimin sidomos të katolikëve shkodranë nga Jozefina Topalli.
Për të vijuar më tej, në atë godinë u vendos kryeministri më jetë gjatë i shtetit shqiptar Mehmet Shehu. Një figurë e fortë dhe komplekse pushtetari, e shumë diskutuar për rolin e tij, por në fund edhe ky një viktimë e po kësaj godine dhe e intrigave që ndërthureshin nga selia përballë.
Koha më e artë për këtë godinë, kur nuk shënoi viktima e as nuk viktimizoi drejtuesit e saj, ishte koha kur ajo kishte të parë atë që sidomos studentët e 90-tës, e pagëzuan me epitetin tou-tou, një personazh grotesk i filmave multiplikativ të kohës. Adil Çarcani ishte një kalimtar, sa për ti thënë botës se vendi kishte një kryeministër, ndërkohë që politika luhej në anën tjetër të shëtitores Dëshmorët e Kombit.
Me rënien e komunizmit fillimisht ajo godinë nuk shënoi viktima por viktimizoi drejtuesit e saj. Ishte i pari Vilson Ahmeti qe pati fatin vetëm pak muaj të ishte i pari asaj godine në të ashtuquajturën Qeveri Stabiliteti që përgatiti zgjedhjet e vitit 1992, ku nëpërkëmbë të politikës u ngatërrua një farë Arsidi i cili nuk kurseu një dekoratë për kreun e opozitës së atëhershme Sali Berisha. Edhe pse skandali Arsidi u shua shpejt, pasi Vilson Ahmeti mori pafajësinë nga gjykata, gjithsesi kjo shënoi arrestimin dhe dënimin me dy vite burg të parit kryeministër shqiptar.
Viktima e dytë ishte kreu i opozitës në vitin 1993 Fatos Nano, që merr mandat arrestin dhe dënimin me shumë vite burg, pikërisht për shkak të qënurit edhe ai i pari i kësaj godine, por edhe kryetar opozite përballë një pushteti që po bëhej gjithnjë e më autokratik, ndonëse për një periudhë shumë të shkurtër disa mujore. Edhe Nano njëlloj si Ahmeti i dënuar për disa lëngje mollësh e dardhash që ishin në ndihmat një kompani Levate CO pas një beteje të fortë dhe shumë vjeçare politike e juridike merr pafajësinë. Kryeministri pasues i tyre Meksi, në fundin e mandatit të tij përballet egër me shumë probleme sociale madje deri edhe ushtarake siç ishte prag 97-ta, dhe vijimi i shkatërrimit të shtetit, ndonëse në të gjithë këtë katraurë violinë e parë ishte Presidenca. Kryeministrat e mëvonshëm si, Fino, Nano, Majko e Meta nuk kanë shume lidhje me tersin godinë përveç rrokadave me njëri tjetrin brenda të njëjtit mandat.
Tersi i rradhës shënohet sidomos në mandatin që sapo u mbyll, ku nga bedenat e saj u shënjestruan katër viktima siç ishin ato të 21 janarit, ndërkohë shumë aktorë të tjerë mbeten edhe sot në fokus të drejtësisë dhe politikës, pikërisht lidhur me këtë ngjarje ndër më të rëndat e pas pluralizmit shqiptar.
Z. Kryemistër!
Në një vështrim kaq sipërfaqësor rezulton se ajo godinë është tersi i shqiptarëve, por edhe i atyre që kanë ushtruar pushtetin brenda saj. Në anët tona ka ndodhur shpesh kur një familje apo fis nuk kishte mbarësi, kishte vdekje të shpeshta apo nuk lindnin djem, ndërrohej trualli dhe banesa. Edhe pse në kushte të rënda ekonomike, por ka ndodhur shumë shpesh që një kullë e tërë të shkatërrohej nga të zotët dhe me gurët e saj të ndërtonin një tjetër kullë diku më larg, ose të ndërronin zonë. E në kontekst Rilindja e shqiptarëve që u është besuar në mënyrë plebishitare koalicionit të drejtuar prej Jush, duhet me doemos ta nisë rrugën e saj jo nga godina ters për shqiptarët, por nga në tjetër godinë, nga një tjetër truall i cili të mos ketë mëkate brenda saj, që të mos ketë asnjë shans që ky popull të jetë i dyzuar në fatin e tij përsa i përket mënyrës së qeverisjes.
Se tek e fundit shqiptarët kanë të drejtën të kenë edhe një minimuze brenda asaj godine që ti kujtojë rreth 60 vite komunizmin në drejtim të shqiptarëve. Kjo përveç të tjerash ka një histori të veçantë. E hapi derën e saj dhe priti një komunist si Enver Hoxha, dhe le të mbyllet dera e saj qeverisëse me një komunist si Sali Berisha. E nisi aktivitetin e saj me projektim dhe realizim vrasjesh të kundërshtarëve politikë nga Enver Hoxha, dhe le të mbyllet me vrasje të po kundërshtarëve politikë siç ishin katër të vrarët e 21 janarit.
Janë shumë e shumë arsye të tjera z. Kryeministër që të detyrojnë që ndër vendimmarrjet e tua të para, ndër më të vështirat është pikërisht vendosja e qeverisë në një godinë tjetër, të ndryshme nga kjo hijerënda dhe tmerr për shqiptarët. Duhet vullnet mbi të gjitha edhe kur mundësitë janë të kufizuara.