E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis beteja me fjalë

Të dy e kanë në dollap nga një Kupë të Ligës së Kampionëve, por më 22 Maj vetëm njëri prej tyre do të mund t’i bëjë dy.

Louis Van Gaal e ka fituar trofeun e çmueshëm me Ajaxin, ndërsa Jose Mourinho me Porton.

Miqtë e vjetër, fati i ka vënë përballë si armiq. Holandezi që udhëheq Bayern Munchenin dhe Portugezi që udhëheq Interin, 13 vjet më parë ishin “Mësuesi dhe Nxënësi” në një fazë të karrierës së tyre në Barcelonë.

Para se të përballen në fushë, në Finalen e Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet këtë të shtunë në Madrid, ata kanë filluar betejën me fjalë.

Van Gaal vlerësoi mentalitetin fitues dhe lojën kolektive të Interit, ndërsa shprehu frikë për referimin.

Jose Mourinho, ndërkaq, tha se i frikësohet Hirit Vullkanik dhe jo Bayernit.

Për ata që nuk e marrin seriozisht këtë deklaratë, “Special One” ktheu filmin mbrapa, duke rikujtuar një moment që në Itali do të mbahet gjatë në mend.

“Kujtoni Fiorentinën...”, iu përgjigj Mourinho Trajnerit të Bayernit, i cili ka shprehur shqetësim lidhur me referat për “ndihmën” që i japin Interit.

Ai solli ndërmend momentin kur Bayern me një gol të shënuar nga offside u kualifikua për në Çerekfinale.

Pasi fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, Trajneri i Bayern Munchen pohoi se ka filluar të mendojë për sfidën më të rëndësishme të sezonit. Ai e ka vlerësuar lojën e Nerazzurrëve, e cila ka ndryshuar këtë sezon.

“Inter lëviz si një bllok i vetëm. Përpos kualitetit, tek Inter e vlerësoj edhe mentalitetin fitues”, tha ai.

Van Gaal ka folur edhe për ish ndihmësin e tij tek Barcelona, Jose Mourinhon, për të cilin pranoi se nuk mendon tjetër veçse të fitojë.

“Tek Inter vërehet dora e një trajneri që e ka vetëm një objektiv. E për Mourinhon, objektiv është vetëm një: të fitojë. Ai ishte gjithmonë kështu, që kur ishte zëvendës imi në Barcelonë. Dëshiron të fitojë me çdo kusht. Kjo veçori e ka ngritur shumë lart, sa që më ka befasuar edhe mua. E dija se ka talent, por nuk e besoja se karriera e tij do të ngritej aq shpejt”.

Van Gaal shtoi se me futbollistët, sjellja e tij dhe e Mourinhos janë të njëjta, por përmendi se dallimi në mes tyre është se portugezi dëshiron vetëm të fitojë, ndërsa për veten tha se i pëlqen të fitojë duke e zbavitur publikun.

Holandezi deklaroi se të shtunën nuk pret një Inter sulmues. Ai e di se në fundjavë do të ballafaqohet me një ekip që ka kapacitet të luftojë dhe që ka 11 luftëtarë, të cilët dinë çka është kolektiviteti.

Jose Mourinho, po ashtu, tashmë ka renditur në raft dy trofe brenda këtij sezoni, Kupën e Italisë dhe Scudetton, ndërsa me fitoren eventuale në Ligën e Kampionëve ai do të krijonte histori për Interin që ka vuajtur për 45 vjet me radhë në garën europiane.

Pavarësisht presionit të Finales së Ligës së Kampionëve dhe pikëpyetjeve për të ardhmen e tij, “Special One” është paraqitur me ironi, kur tha se ishte më shumë i shqetësuar për vullkanin “Gudjohnsen” sesa për diçka tjetër.

Ai ishte më shumë i shqetësuar nga vullkani Eyjafjallajokull që shpërtheu këtë vit në Islandë dhe detyroi shumicën e aeroporteve që të ndalojnë udhëtimet ajrore, madje javën që shkoi në Spanjë kishte pasur ndalime në fluturime të mërkurën dhe të premten.

“Jam shqetësuar nga Gudjohnsen”, tha Mourinho, duke hutuar të gjithë të pranishmit gjatë një konferencë për media.

“Nuk e di emrin e vullkanit, pasi që është i vështirë, kështu që po e quaj Gudjohnsen", është shprehur me humor ai, duke ju referuar ish sulmuesit të Chelseas nga Islanda, Eidur Gudjohnsen.

“Jam shqetësuar nga vullkani. Do të dëshiroja të isha në Madrid të premten, por më sa duket duhet të nisemi të mërkurën. Ky është shqetësimi im i vetëm”.

Van Gaal, por edhe të tjerët, kanë akuzuar Interin për një lojë skajshmërisht defanzive, kundër Barcelonës.

Mourinho u është përgjigjur.

“Në këtë sezon nuk kam parë një ndeshje sikurse ajo Inter-Barcelona, në San Siro. Ne sulmuam në mënyrë agresive kundër Kampionit të Europës dhe shënuam tri gola kundër tyre. Nuk kam parë askënd që ka luajtur në mënyrën se si luajtëm me Chelsean, në Stamford Bridge. Chelsea nuk është një skuadër e vogël, është Kampion i Anglisë, dhe askush nuk luan ashtu në Stamford Bridge”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›