E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galatasaray kërkon Harbuzin

Pas një sezoni të suksesshëm me Gençlerbirligin në kampionatin turk, Labinot Harbuzi ka rënë në sy të disa klubeve të mëdha, e në veçanti të gjigantit turk, Galatasaray.

Ish-mesfushori i Feyenoordit dhe Malmos, këtë sezon realizoi katër gola, derisa njërin nga ta ia shënoi Galatasarayt, në ndeshjen e fundit të kampionatit turk, që përfundoi javën që shkoi.

Udhëheqësit e Galatasarayt tashmë kanë filluar ‘gjahun’. Ata kanë kontaktuar si menaxherin e Harbuzit, Hasan Cetinkaya, ashtu edhe presidentin e Gençlerbirligit, Ilhan Cavcav.

“Mund të konfirmoj se Galatasaray është mjaft i interesuar për Labinotin. Ata e kanë kontaktuar presidentin e Gençlerbirligit, por i cili nuk dëshiron të heqë dorë nga Labinoti, me të cilin planifikon ta ndërtojë skuadrën. Për momentin, gjërat janë kështu”, ka deklaruar Cetinkaya për të përditshmen suedeze, Expressen.

Por, klubi i madh turk, Galatasaray, nuk është i vetmi që ka zgjuar interesim për mesfushorin me nënshtetësi suedeze.

“Shumë klube të tjera të huaja kanë kërkuar informacione për Labinotin. Ndër to ka klube prej Francës, Gjermanisë dhe një top-klubi nga Portugalia”, ka theksuar menaxheri i futbollistit.

Harbuzi aktualisht gjendet në shtëpinë e tij në Malmo të Suedisë për pushime. Gjatë kësaj jave, ai do të takohet me menaxherin e tij, Cetinkaya, me të cilin pritet t’i shqyrtojë të gjitha ofertat që kanë arritur në adresë të tij.

“Si futbollist, ju gjithmonë dëshironi ta matni veten me forca më të mëdha. Unë dëshiroj të luaj në një ekip të madh. Në këtë rast, ndoshta rrezikon paksa, ngase nuk e ke kurrë të garantuar se do të mund të luash rregullisht”, ka thënë Harbuzi, i cili ka kontratë edhe për tri vjet me Gençlerbirligin.

Polat, i pasionuar pas Harbuzit

Presidenti i Galatasarayt, Adnan Polat, është i pasionuar pas Harbuzit. Ai dëshiron që kosovarin me pasaportë suedeze ta transferojë gjatë kësaj vere në stadiumin Ali Sami Yen.

Presidenti i Galatasarayt, Adnan Polat, i ka bërë me dije homologut të tij nga Genclerbirligi, Ilhan Cavcav, se 24-vjeçari është në planet e tij, për sezonin e ri.

"Dua ta marr Harbuzin në Galatasaray. Nuk dua ta kërkoj një tip të këtij futbollisti në Evropë. Ndihmona në transferimin e tij. Kam hulumtuar dhe përkrah futbollit, ai është shumë i disiplinuar dhe i drejtë, duke i plotësuar kushtet për Galatasaray. Në disa çështje nuk e kemi vështirë të arrijmë marrëveshje", i ka thënë Polat homologut të tij Cavcav.

Ndërsa numri një i Genclerbirligit, Harbuzin e konsideron si shtyllë të ekipit, mirëpo nuk përjashton mundësinë e shitjes së tij. "Kur e pashë Harbuzin për herë të parë, më pëlqeu si futbollist. Ndërsa, tani ai është shtyllë e ekipit. Është futbollist që mund të shitet, por çmimi është pak i lartë. E kam transferuar për ta mbajtur në ekip, por çdo ditë lind dielli, nuk i dihet", ka thënë Cavcav, për ueb faqen medyaspor.com

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›