E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis edicioni i 28-të i Panairit të Librit, të shtunën ceremonia e ndarjes së çmimeve

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ka nisur edicioni i 28-të i Panairit të Librit, ngjarja më e madhe letrare në vend, që këtë vit zhvillohet nën moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”.

Për pesë ditë me radhë, lexuesit do të kenë mundësi të njihen me botimet më të reja nga mbi 100 shtëpi botuese shqiptare dhe jo vetëm,  të marrin pjesë në promovime, diskutime e takime me autorë.

“Jo rastësisht kemi zgjedhur një thënie të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare: Ndërgjegjja jonë ka nevojë për libra, por ka nevojë për libra ndërgjegjja e të gjithëve, vëmendja e të gjithëve, kujdesi i të gjithëve”, deklaroi Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Ashtu si çdo vit, Panairi i Librit shoqërohet edhe me ulje për lexuesit ndërsa vizitorët shfrytëzojnë rastin për të plotësuar bibliotekat e tyre personale.

“Kam blerë disa libra të ndryshëm, përshembull kam blerë “Shëmtia” nga Rajmonda, ajo ma firmosi librin dhe ishte kënaqësi”, tha një prej lexuesve.

Por ka edhe nga ata që mendojnë se, pavarësisht uljeve, çmimet e librave vazhdojnë të mbeten të larta për xhepin e një lexuesi të zakonshëm.

“Çmimet nuk kanë bërë ndonjë ulje të konsiderueshme për ne pensionistët. Kam blerë nga 2-3 libra, aq e kemi ne atë”, thanë lexues të tjerë.

Panairi i 28-të i Librit do të kulmojë të shtunën me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për botimet më të mira të vitit, ndërsa do të ulë siparin ditën e diel në 16 nëntor.

/RTSH/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›