E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis evakuimi i 36 objekteve antike të Apolonisë

Nis më në fund evakuimi i objekteve antike në Apoloninë e lashtë. Rreth 36 objekte  kanë qenë objekt i largimit të sotëm me qëllim shpëtimin e vlerave të mëdha muzeale. Ishte alarmi i dhënë përpara disa ditësh nga kreu i këtij parku ai çka ka bërë që ekspertë gjermanë të largojnë nga vendi i rrezikut këto statuja. Pas këtij konstatimi Haxhimihali i kërkoi

Ministrisë së Kulturës ndihmë për largimin e statujave pa i dëmtuar ato. Vetë ministria negocioi me një përfaqësi gjermane të vendosur në vendin tonë, të cilët janë ekspertë në këtë fushë. Në atë takim urgjent në Tiranë u vendos që të priteshin ekspertët e huaj, që do të ndihmonin specialistët shqiptarë në evakuimin e monumenteve antike, 8 prej të cilave të mëdha. Pas mbërritjes të dy ekspertëve gjermanë, nisi puna për evakuimin e monumenteve të rëndësishme. Specialistët gjermanë vijnë nga Universiteti i Kelnit. Zhvendosja u la në dorë të tyre, pasi ata e njohin mjaft mirë terrenin, duke qenë se janë pjesë e ekspeditës shqiptaro-gjermane që po punon në Apoloni, ka sqaruar në startim të punës për evakuim kreu i parkut arkeologjik Marin Haxhimihali. Ndërkohë  Haxhimihali sqaron se shumë statuja të rënda janë vendosur në perimetrit të manastirit. Kemi hequr në një kohë rekord gjithë inventarin që gjendej  brenda këtyre ambienteve. Shpresojmë që sapo organet kompetente të ndërhyjnë, duke riparuar këto ambiente, të rivendosen aty ku ishin të gjitha statujat. Këto të fundit janë vlera të cilat vetëm në këtë park mund ti gjesh. Unë falënderoj edhe njëherë këtë reagim të menjëhershëm të ministrisë dhe të Qendrës Albanologjike, ka vijuar Haxhimihali. Ndërkohë shumë shpejtë pritet që pushteti vendor në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të lëshojnë fonde, të cilat këto ditë do të bëjnë të mundur edhe ndërhyrjen konkretet në muret e çarë të ndërtesës për të parandaluar edhe dëmet e mëtejshme. Kjo do ta bënte teatrin sërish të vizitueshëm. Statujat janë transportuar me mjete të posaçme të vëna në dispozicion nga  vetë ekspertët gjermanë, ndërsa fuqia punëtore është siguruar nga parku arkeologjik. Në këtë zhvillim morën pjesë edhe shumë arkeolog dhe historian nga qyteti i Fierit.

O. Filka

Last Updated on E Premte, 26 Shkurt 2010 22:25

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›