E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis fushata e gënjeshtrave... për zgjedhjet vendore!

Turravrapi i zgjedhjeve ka nisur. Dhe s`ka dyshim që përsëritet i njëti skenar i nisjes së fushatës elektorale 2 muaj, para se zgjedhjet në vend të zhvillohen. Kështu ka ndodhë këtu e 15 vjet, që kur kjo e shkretë demokraci bujti në Shqipëri, dhe duket se nuk ka për të ndryshuar. Lumi i premtimeve aspak të panjohura, ka nisur sërish si një refren i shumëdëgjuar i një kënge dikur “hit” e cila të jep shije bajate kur e ridëgjon sërish në ekrane e altoparlantë radioje. Kanë nisur ethet, ndonëse fatmirësisht deri tani Shqipëria ende nuk e ka parë anën e acartë të dimrit.

Socialistët e çuan me duart e tyre në pikun e vapës së verës datën e zgjedhjeve para 1 viti e gjysmë, ndërsa demokratët preferuan ta vendosin në mesin e stinës së ftohtë këtë datë, por kësaj here me dorën e Moisiut. Përveç mesdimrit, rrëmujës i shtohet edhe fakti që zgjedhjet zhvillohen 24 orë para atyre në Serbi, që do të jenë edhe epilogu i procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës. Politika sharlatane e Tiranës, që ka qenë e tillë ndoshta që nga lindja e saj më 1912, por që është bërë më sharlatane se kurrë në këtë demokraci të lodhur, sërish po luan jashtë vijave, në kurrizin e një populli të tërë.

E para: Tirana është përfshirë nga lufta politikë, e ashpër dhe e paskrupullt në një kohë kur e gjithë vëmendja duhet përqëndruar te Kosova. Askush s`do tja dijë nëse Edi Rama apo Sokol Olldashi do bëhen apo jo kryetarë të rinj të bashkisë në Tiranë, apo të tjerët në qytete të tjerë; por të gjithë shqiptarëve që e quajnë veten të tillë u intereson patjetër çështja e Kosovës, zgjidhja e saj në mënyrën më të mirë, që sipas meje është PAVARESIA. Pra në një kohë kur bota të diskutojë pavarësinë apo ndonjë status tjetër të ndërmjetmë të Kosovës, në Tiranë, politikanët do të hahen me njëri tjetrin lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Dhe kjo është dhurata më e keqe që liderët shqiptarë, që me fjalë bëhen më kosovarë se kosovarët, i bëjnë Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi. Nëse kjo do kishte ndodhur në një vend tjetër, mazhoranca dhe opozita do ishin në të njëjtën anije, në përpjekje për ta çuar në bregun përballë, e jo në dy a më shumë anije, që mundohen të fundosin njëra tjetrën.

E dyta: Zgjedhjet zhvillohen në dimër. Madje në kulmin e tij, kur shumë zona janë të bllokuara nga dëbora dhe ngricat. Kjo padyshim do shtojë manipulimin, nga njëra apo tjetra palë dhe rrjedhimisht edhe kontestimet nga ata, këta apo të tjerët. Dmth, nëse dikush pyet se ç`do të bëhet pas 20 janarit, unë po jua them: një sherr i pafund.

E treta: Mazhoranca po përpiqet të konsolidojë pushtetin. Të tregojë se nuk erdhi rastësisht më 3 korrik në krye të këëtij vendi. Duke lançuar edhe ato që janë bërë me të vërtetë mirë, dhe duke ripremtuar ato që s`janë bërë fare, shumica e djathtë do përpiqet të fitojë bindshëm. Një problem i vogël ështe edhe lufta e ashpër për pushtet brenda saj, për të kënaqur orekset politike të grupimeve në rritje. Nga ana tjetër qëndron e majta, e përçarë e telikosur dhe pa pikën e motivimit, kërkon të fitojë për të treguar se ribashkimi sjell fuqinë. PS ka edhe misionin e mbajtjes së Edi Ramës në krye të saj, gjë të cilën humbja e zgjedhjeve do ta vinte në pikëpyetje. Pra, të dy palët kanë nisur të bëjnë premtime pa fund, nga më ekstravagantet kur në Shqipëri:
S`ka ujë!
S`ka drita!
S`ka rrugë!
S`ka punë!
S`ka viza!
…dhe një listë e gjatë me “s`ka” të tjera mund të vazhdojë. Pra në vend që gjithkush të premtojë atë që është për tu premtuar, gjithkush premton gjithçka sikur të kishte në dorë Shkopin e Moisiut, me të cilin do bënte mrekullira. Shqiptarët një gjë e kanë kuptuar: askush nuk bën më të tilla, pasi asnjë nga këta politikanë, nuk është profet, por thjesht njerëz të dobët të pushtuar kokë e këmbë nga dëshira për pushtet dhe pse jo…para! Ndaj përpara se të na premtojë Brukselin, Strazburgun apo Uashingtonin, qeveria të na premtojë Komanin dhe Vaun e Dejës, të na premtojë se do shkojmë më shpejt në Kosovë, Kakavijë, Vlorë apo në Himarë, apo se kur do marrë fund shëmtia e mungesës së ujit të pijshëm në qytetet shqiptare, që ne të lahemi sa herë duam, e jo sa herë do Ujësjellësi. Pa ujë, drita rrugë e punë, as që mund të mendohet t`i kalojë as afër e jo më të hyjmë në Europë.

E katërta: Përpjekjet për të tërhequr elektoratin, duke parë që shumica e tij është e pavendosur se për kë do të votojë, janë bërë më irrituese se kurrë. P.sh. kthimi i Tiranës në një kantier, vetëm 2 muaj para zgjedhjeve është veçse një paralizim i jetës normale të qytetarëve, mijëra orë të humbura në trafikun e një kryeqyteti të vockël. Fatkeqsisht, në Shqipëri, shtrimi i një cope trotuar varet nga politika e dështuar, e jo nga taksat që paguajmë çdo muaj. Dhe kjo duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

E pesta: Vetëm në Shqipëri ndodh që dy të mëdhenjtë e politikës, PD-PS, bëjnë marrveshje pasi shkatërrojnë Kuvendin, votojnë të blinduar në vende të tjera dhe grihen në media, dhe as që marrin mundimin ta zbatojnë. Këto marrëveshje, jo vetëm që shpesh shkelin Kushtetutën, por janë tërësisht jo serioze, dhe palët nuk ngrurrojnë që pasi tensioni ka rënë ta konsiderojnë të vdekur atë çka nënshkruan.

Për sa kohë politika shqiptare do të mbetet sharlatane, e papërgjegjshne dhe gënjeshtare e klasit të lartë, ky vend dhe ne brenda tij do vazhdojmë të vuajmë. Jo çdo herë e ka fajin populli, por më shumë ata që e mësuan atë me një mentalitet të tillë prapambetjeje. Asgjë e re s`ka për të ndodhur edhe pas këtyre zgjedhjeve, përveç zhurmës dhe katrahurës politike, që fatkeqësisht tashmë është bërë pjesë e jetës sonë… Madje shumë nga shqiptarët, të paktën do tu gëzohen një herë ikjes së dritave, pasi nuk do shikojnë më në ekrane të njëjtat fytyra, të njëjtat gojë që thonë të njëjtat gjëra… që duhet se s`do bëhen kurrë…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›