E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis fushata parazgjedhore për Prizren dhe Lipjan

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fillojnë fushatën parazgjedhore pesëditore për Prizren dhe Lipjan, në të cilat komuna në raundin e dytë më 13 dhjetor pati parregullsi, për shkak të të cilave KQZ mori vendim të shkohet në rivotim.

Në garën për kryetarin e komunës së Prizrenit janë Ramadan Muja, kandidat i PDK-së, njëherësh kryetar komune dhe Hanefi Muharremi nga radhët e LDK-së.

Për të parin e komunës së Lipjanit garojnë Shukri Buja, kandidat i PDK-së, njëherësh kryetar komune dhe Imri Ahmeti nga radhët e LDK-së.

Zgjedhjet në këtë dy komuna do të mbahen më 31 janar, ndërsa për Gjilanin ende nuk është marrë vendim nëse do të shkohet në rivotim ose do të pranohet rezultati i rinumërimit, i cili njeh fitues kandidatin e PDK-së, Qemajl Mustafa.

LDK-ja ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme, me kërkesën që Komisioni Qendror Zgjedhor të zbatojnë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili, krahas Prizrenit dhe Lipjanit, pat këshilluar të rivotohet edhe për Gjilanin.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve. /kosovapress/

Rekomandime për masa të sigurisë

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë këtij procesi t’i rrisë masat e sigurisë.

Kandidatët e partive politike që garojnë për kryetar të komunës së Prizrenit dhe Lipjanit, sot kanë nisur edhe një fushatë tjetër elektorale, e cila do të zgjasë pesë ditë.

Përfaqësuesit e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kanë rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë këtij procesi zgjedhor të rrisë masat e sigurisë dhe numrin e pjesëtarëve të policisë nëpër vendvotime.

Kryesuesi i Sekretariatit të KZAP-it, Mulë Desku, thotë se KQZ-ja do të ishte mirë që t’i marrë parasysh rekomandimet e KZAP-it.

“Ndër rekomandimet e fuqishme që ia ka bërë KAZP-i KQZ-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të votimit në këto komuna, janë: të bëhet ndërrimi i komisioneve të qendrave të votimit, të shtohet prezenca e Policisë së Kosovës në të gjitha qendrat e votimit dhe KQZ-se të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit”, thotë Desku.

Nga ana tjetër, zyrtarët e KQZ-së thonë se institucioni që i organizon zgjedhjet, është duke i koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës.

Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se KQZ-ja do t’i respektojë rekomandimet e KZAP-it.

“Natyrisht, në bashkëpunim me KQZ-në, janë bërë takime gjatë kësaj periudhe dhe janë bërë konsultime që të përfillet kërkesa e KZAP-it, për shtimin e numrit të policëve nëpër vendvotimet, të cilat konsiderohen që kanë qenë problematike. Besojmë se gjithçka do të jetë në të mirë të procesit dhe do të ketë një vështrim më të shtuar”, thekson Ajvazi.

Edhe Policia e Kosovës konfirmon se janë duke u konsultuar me KQZ-në që procesi zgjedhor në Prizren dhe Lipjan, që do të mbahet më 31 janar, të shkojë sipas rregullave të parapara.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë, thotë se deri më tash nuk ka ndonjë kërkesë për shtim të pjesëtarëve të policisë në qendrat e votimeve.

Megjithatë, ai thotë se policia është e gatshme të ofrojë numër më të madh të pjesëtarëve të policisë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga institucionet që organizojnë zgjedhjet.

“Policia e Kosovës i ka planet e saj operacionale të përgatitura dhe varësisht prej situatës dhe nevojës, është e gatshme të ngrejë numrin e personelit për aq sa e kërkon nevoja në terren”.

“Mund të themi se jemi të gatshëm të asistojmë nëse kërkohet, të rrisim numrin vetëm e vetëm që të ofrojmë siguri maksimale, që të gjithë qytetarët të ndihen të lirë gjatë procesit të votimit”, thotë Kelani. /rel/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›