E Diel, 1 Nëntor 2026

Rojat e 31 janarit

Votat e qytetarëve të Prizrenit dhe të Lipjanit më 31 janar do të jenë më të sigurta sesa në dy raundet e tjera të zgjedhjeve, pasi këtë herë parashihet të ketë edhe më shumë pjesëtarë të policisë përballë qendrave të votimit.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ’së, Xhemail Peçani thotë se institucioni që i organizon zgjedhjet është duke i koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës, EULEX’in dhe KFOR’in për ditën e zgjedhjeve.

“Nuk kemi plan të ri për 31 janar, por jemi në konsultime me të gjitha mekanizmat e sigurisë në Kosovë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, ka thënë Peçani për Express, të dielën.

Por, a është plani i vjetër i KQZ’së i dështuar për shkak të manipulimeve të votave në balotazh?

Xhemail Peçani thotë se përkundër problemeve të balotazhit, plani nuk do të ndryshojë, por do të respektohen rekomandimet e KZAP’së për rritjen e numrit të pjesëtarëve të Policisë nëpër vendvotime.

“Ne do t’i respektojmë rekomandimet e KZAP’së për shtimin e numrit të policëve nëpër vendvotimet problematike. Ne do të jemi në gjendje gatishmërie gjatë tërë ditës së zgjedhjeve. Në bazë të kërkesave, edhe do të reagohet”, ka sqaruar ai.

Edhe Policia e Kosovës konfirmon se do të ketë shtim të pjesëtarëve të saj nëpër qendra të votimeve nëse një gjë e tillë kërkohet nga KQZ’ja.

“Varësisht nga kërkesat e KQZ’së, policia do të shtojë numrin e pjesëtarëve për të ofruar siguri të mjaftueshme në ditën e votimeve’, ka thënë Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Policia vepron me plan të njëjtë sikurse ka vepruar në balotazh. Por me një reduktim në ato zona që nuk mbahen zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Edhe këtë herë parashihet që materiali senzitiv të bartet nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë.

“Të gjitha janë në përgjegjësi të PK’së, e cila do t’i bartë materialet senzitive në qendra të votimit dhe anasjelltas”.

Ndërkohë burime të Expressit kanë thënë se deri të martën, Policia e Kosovës dhe KQZ’ja do ta finalizojnë planin e sigurisë për raundin e tretë të garës për Kryetar të Prizrenit. Ky plan, sipas këtyre burimeve të gazetës, do të prezantohet të premten.

Në “balotazhin e ri” do të takohen kandidatët e dy partitë që qeverisin Kosovën – PDK’ja dhe LDK’ja. Kandidatët e këtyre dy partive do t’i kenë pesë ditë për të shpalosur programet për përmirësimin e jetës së qytetarëve. PDK’ja garon në Prizren me Ramadan Mujën, e në Lipjan me Shukri Bujën. LDK’ja, ndërkaq, do të përpiqet ta rikthejë pushtetin në Prizren, përmes Hanefi Muharremit, e në Lipjan përmes Imri Ahmetit.

Ndryshe, javë më parë, KZAP’ja udhëzoi KQZ’në t’i përsërisë zgjedhjet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. KQZ’ja respektoi vendimin e KZAP’së për Prizren dhe Lipjan, derisa procesi elektoral në Gjilan mbetet i bllokuar për shkak se nuk janë certifikuar rezultatet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›