Nis gjyqi për babanë që tentoi të vrasë të birin 2-vjeçar

SHKODËR/ Ditën e martë, Eduard Gjoka është paraqitur në sallën e gjyqit duke pranuar marrjen e një avokati
SHKODËR - Vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë është akuza me të cilën është përballur të martën në seancën e parë gjyqësore në ngarkim të tij, 32-vjeçari Eduard Gjoka, i cili pak muaj më parë tentoi të vriste fëmijën e tij 2-vjeçar duke e hedhur nga ura e trenit në periferi të qytetit të Shkodrës.
I pandehuri nuk ka marrë avokat dhe ashtu si dhe në seancën e vlerësimit të ndalimit e caktimit të masës së sigurisë, është kërkuar që atij t'i caktohet avokat nga shteti.
Gjatë seancës së parë në gjykatën e Shkodrës, të akuzuarit i është bërë e ditur e drejta e tij për avokat mbrojtës, ndërsa prokuroria si palë akuzuese ka deklaruar se ekspertiza e bërë e ka nxjerrë Eduard Gjokën si një person me shëndet të mirë mendor.
I pandehuri në seancën e caktimit të masës së sigurisë pati deklaruar se nuk kishte dashur ta vriste të birin, por ai kishte rrëshqitur nga pakujdesia.
Megjithatë, sipas hetimeve, në vendin e ngjarjes kanë qenë disa kalimtarë të cilët kanë tentuar të ndalonin të pandehurin që të kryente aktin dhe kanë qenë këta që kanë lajmëruar policinë.
Eduard Gjoka u kap pas 16 orë kërkimesh, në fshatin Bardhaj i strehuar tek disa të afërm të tij. Në momentin e ndalimit, para policisë ai ka shprehur keqardhjen për fatin e të birit 2-vjeçar, por sipas tij, fëmijën e hodhi nga mbikalimi i trenit në shenjë hakmarrjeje për të shoqen me të cilën ishte divorcuar 7 muaj më parë, duke shkëputur çdo marrëdhënie.
E vetmja lidhje ishte qëndrimi një herë në dy javë me djalin. Sipas policisë, 32-vjeçari Eduard Gjoka ishte një person me probleme, i cili drogohej, megjithatë ekspertiza e ka nxjerrë të përgjegjshëm për veprimet e tij.
Fëmija pësoi disa fraktura nga rënia nga lartësia, ndërsa aktualisht ai ndodhet tek të afërmit e nënës së tij në Koplik të rrethit Malësi e Madhe. Në seancën gjyqësore të zhvilluar të martën, Eduard Gjoka nuk ka folur, vetëm sa ka pranuar që të ketë avokat të caktuar nga gjykata.