E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis mbledhja e KQZ, tension jashtë ambjenteve

Nis mbledhja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku pritet të miratohet akti normative i cili i cilëson si të vlefshme fletët për kryetarin e bashkisë së Tiranës të cilat janë hedhur gabimisht në kutitë për minibashkitë.
 

Përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti kërkoi që të konsiderohen të vlefshme fletët për kandidatin e kryetarit të bashkisë të cilat janë gjetur në kutitë për këshillin bashkiak.

“Zgjedhësi ka votuar për një proces të vetëm zgjedhor. Qartësisht dhe vota e hedhur është në të njëjtin format, madhësi ngjyrë duke e bërë plotësisht të vlefshme këtë fletë votimi. Zgjedhësi nuk mund të konsiderohet fajtor e të ndëshkohet. Vlerësoni e numëroni çdo votë” tha Kosovrasti.

Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj ka kërkuar që deputetët socialistë te lejohen të marrin pjesë në mbledhjen e KQZ-së ndërsa kryetari i KQZ-së Arben Ristani ka theksuar se kërkesa nuk duhet të pranohet pasi gjatë ditës së djeshme deputetët krijuan tension në sallë.
 

Ndërkohë vijon të mbetet e tensionuar situata jashtë ambjenteve të KQZ-së ku deputetë të PS-së janë duke debatuar me oficerët e policisë të cilët nuk I lejojnë të futen brenda.
 

Deputetët socialistë kërkojnë nga oficerët e policisë shkresën dhe urdhërin që vërteton që ata nuk duhet të lejohen të futen brenda ambjenteve të KQZ-së.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›