E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po përpiqet të paralizojë KQZ-në

Kryeministri Berisha akuzoi kreun e PS-së Edi Rama se po përpiqet të paralizojë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha theksoi se kreu i PS-së po ndjek një rrugë kryekëput të papajtueshme me rendin demokratik.
 

“Në situatën aktuale dua të sqarojë qytetarët se kjo mazhorancë nuk ka kundërshtuar gjer sot asnjë rezultat përveç rasteve sporadike në ndonjë komunë. Ligji nuk parashikon rezultat paraprak. Rama kërkon të imponojë me çdo kusht që rezultati paraprak të mbetet përfundimtat dhe procesi të dalë jashtë procedurave normale të shqyrtimit” theksoi Berisha.
 
Më tej kryeministri Berisha theksoi se nëse do të pranohej rezultati paraprak atëherë do të asgjesohej sistemi i zgjedhjeve të lira për të cilën mazhoranca është të vendosur ta mbrojmë me të gjithë potencialin tonë.

Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se të gjitha votat e hedhura nga kutitë e gabuara do të numërohen në mënyrën më transparente.
“Garantoj Ramën se ato vota do të numërohen në transparencën më absolute dhe në sytë e të gjithë shqiptarëve” theksoi Berisha.
 

Gjithashtu kryeministri Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës të rishqyrtojë qëndrimin e tij duke larguar njerëzit nga godina e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
 

“I bëj thirrje Ramës të largojë njerëzit nga rrethimi, të mos rrethojë një institucion të pavarur sepse është një akt shumë i rëndë dhe pasojat do të jenë jashtëzakonisht të rënda nëse cënohet puna e KQZ-së” shtoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›