E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndërtimi i rrethrrotullimit në Skenderaj

Në qytetin e Skenderajt ka filluar ndërtimi i rrethrrotullimi në kryqëzimin e rrugëve “28 Nëntori”, “Ali Gashi” dhe “Rezistenca”.

Ky kryqëzim deri tani ka qenë një pikë e ndjeshme sa i përket numrit të aksidenteve që kanë ndodhur. Kryqëzimi është i frekuentuar shumë nga automjetet, pasi lidh rrugën magjistrale Skenderaj-Klinë me rrugën tranzit Skenderaj-Drenas në pjesën jugore të qytetit.

Për këtë shkak Komuna e Skenderajt ka nisur ndërtimin e rrethrrotullimit, i cili do të evitojë shumicën e problemeve që kanë hasur vozitësit e automjeteve deri më tani, pasi ky kryqëzim konsiderohej si i rrezikshëm.

Drejtori për Urbanizëm në Komunën e Skenderajt, Hasan Shala, i tha rtk-së se rrethrrotullimi që po ndërtohet në këtë pjesë do të evitoi problemet me qarkullim në këtë pjesë të qytetit.”Deri tani kjo nyje e infrastrukturës rrugore në Skenderaj ka qenë problematike dhe që ka shkaktuar shumë aksidente.

Me ndërtimin e këtij rrethrrotullimi do të shmangën aksidentet dhe qarkullimi në këtë pjesë do të jetë shumë i lehtësuar për të gjithë”, tha Shala. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është rreth 30 mijë euro dhe pritet të përfundoi për dy javë.

Ndërkohë Komuna e Skenderajt është duke zhvilluar projekte të tjera si në fshatrat po ashtu edhe në qytet, projekte këto që do ta përmirësojnë edhe më tutje infrastrukturën sidomos brenda qytetit.

Sipas drejtorisë për Urbanizëm të Komunës së Skenderajt së shpejti në qytet do të fillojë edhe rregullimi i shtrati të lumit Klina, pjesa e mbetur, si dhe do të bëhen riparime në shtratin e lumit në pjesën e dëmtuar nga vërshimet e sivjetme./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›