E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndërtimi i rrugës Miftar Gërbolli, Basha: Jo pjesë e luftës politike

bashaTiranë- Bashkia e Tiranës ka nisur paraditen e sotme punën për ndërtimin e rrugës Miftar Gërbolli, e cila lidh rrugën Don Bosko me rrugën Egnatia, në njësinë bashkiake nr.11.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili u shopreh se rruga po ndërtohet sipas standarteve evropiane. I pyetur nga gazetarët për akuzat e këshilltarëve të Partisë Socialiste në adresë të tij, për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Basha ka përsëritur qëndrimin e tij se askush nuk do ta zhvendose vëmendjen e Bashkisë nga qytetari tek konflikti politik.

Unë nuk bëhem pjesë e akuzave që tentojnë të zhvendosin vëmendjen e Bashkisë tek lufta politike. Është fare e kuptueshme. Dikush mund të zgjedhë, këshilltar apo jo këshilltar, mund të kenë shpresa për deputetë, që përpiqet të tërheqë Bashkinë e Tiranës në luftë politike. Ne bëjmë punën tonë, Këshilli Bashkiak ka rregullat e veta, funksionon sipas këtyre rregullave dhe Bashkia e Tiranës ka një dhe vetëm një detyrë, të zbatojë ligjshmërinë dhe këtë po bën. Ne si Bashki, jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën tonë. Këshilli Bashkiak merr vendimet e veta.

Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur në nisjen e punës në këtë rrugë, se krahas përfundimit të projekteve të nisura tashmë në kryeqytet, do të nisë zbatimi i investimeve të reja të parashikuara në buxhetin e vitit 2013.

Ndërkohë që nis faza e dorëzimit të veprave të investuara me buxhetin e 2012-ës, ne po përparojmë me fazën e re, atë të veprave që ndërtohen me buxhetin e vitit 2013, pra frontet e punës do të vazhdojnë të shtohen. Nuk do të ketë surpriza, sepse buxhetet janë të konsultuara, qytetarët e dinë për çdo njësi bashkiake se çfarë veprash do të ndërtohen por shpresoj se kontraktorët, në bashkëpunim me supervizorët të na japin surpriza të këndshme, si ajo tek Ilia Dilo Sheperi, ku një vepër e cilësisë së lartë u dorëzua para kohe. Ne do të insistojmë që edhe veprat e reja që po nisin anembanë qytetit, të ndërtohen me standardet e parashikuara dhe të krijojnë sa më pak probleme gjatë periudhës së ndërtimit por në përfundim të ndërtimit ti japin qytetarëve të Tiranës, atë për të cilën ata paguajnë si taksapagues theksoi z. Basha.

I pyetur për ngadalësim të punimeve në disa rrugë, kryebashkiaku ka garantuar se të gjithë kontraktorët po avancojnë me punimet sipas parashikimeve. Natyrisht punimet në rrugë janë paraprirë nga rrjeti i ujësjellës – kanalizimeve.

Investimi në këtë zonë kap vlerën e 2.1 milionë lekëve dhe pritet tu shërbejë rreth 4.500 banorëve, duke pasur ndikim edhe në lehtësimin e trafikut.

Rruga e cila do të përfundojë brenda 6 muajsh ka një gjatësi 300 metra dhe gjerësi 6 metra, me trotuare nga 1 metër në të dy anët e saj. Projekti parashikon dhe zëvendësimin e mureve rrethuese me kangjella.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›