E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndertimi i rruges Pasho Hysa

Me një investim prej 66.7 milionë lekë, ka nisur ndërtimi i rrugës “Pasho Hysa”, me gjatësi 1 km. Në këtë rrugë nuk është investuar asnjëherë, edhe pse u shërben rreth 5 mijë banorëve dhe lidh njësitë bashkiake nr.1 dhe 2. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka inspektuar sot punimet në këtë rrugë, që përshkon një zonë e cila edhe pse ndodhet në kryeqytetin e vendit, i ngjan një fshati të prapambetur. 

“Gjatë inspektimit të trajektores së rrugës “Pasho Hysa, për pak sa nuk u tundova të ftoj ish-Kryetarin, për të ardhur edhe këtu dhe për të shpjeguar programin e tij për fshatin, deri sa u kujtova që jemi në qytet, në fakt në kryeqytet. Kjo pjesë e qytetit, ndonëse i ngjason në çdo parametër fshatit, madje fshatit të prapambetur, është përfituese e një prej investimeve më domethënëse të Bashkisë, rrugës “Pasho Hysa”, me një gjatësi prej 1 km e cila përshkon një ndër zonat e reja të urbanizuara, por të vjetra dhe autoktone të Tiranës. Kjo rrugë do të lidhet me rrugën “Pjetër Budi”, duke krijuar një Unazë të brendshme urbane, për banorët e kësaj zone dhe për dy minibashkitë e qytetit tonë, Njësinë Bashkiake nr.1 dhe 2” – u shpreh Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha. 

Pjesë e këtij investimi do të jetë dhe ndërtimi i  një ure me gjatësi  5 m dhe gjerësi 8 m. Rruga do të ketë një gjerësi prej 6 m dhe në të dy anët e rrugës është parashikuar ndërtimi i trotuareve për kalimin e këmbësorëve. Në projekt parashikohet  edhe ndriçimi, gjelbërimi, ndërtimi i sistemit të ujësjellës - kanalizimeve, zëvendësimi i mureve rrethues të shtëpive me kangjella, etj. 

“Rruga do të ketë parametra tërësisht modernë dhe evropianë, një paketë të plotë të shtrimit të rrugës me ujësjellës dhe kanalizime, me trotuare në të dy anët e rrugës dhe me zëvendësimin e mureve aty ku do të jetë nevoja, për të zgjeruar shtatin e rrugës me kangjella, investim ky i Bashkisë së Tiranës, si pjesë e përkushtimit tonë, për t’u dhënë një profil sa më evropian edhe lagjeve të reja të qytetit tonë. 

E rëndësishme është edhe pjesa fundore e rrugës e cila do të lidhë këtë pjesë ku ndodhemi tani, me rrugën “Pjetër Budi” dhe do të bëjë më të lehtë komunikimin midis dy zonave, që sot mund të përshkohen vetëm me këmbë ose në rastin më të mirë, me mushkë.

Së shpejti, besoj para verës së ardhshme do të rikthehemi në këtë rrugë dhe do të shikojmë që të paktën në këtë zonë të qytetit të Tiranës, të kryeqytetit tonë, nuk do të jetë i nevojshëm propozimi për rilindjen e fshatit” - theksoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›