E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndertimi i rruges Zonja urre

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës znj. Jorida Tabaku ka inspektuar sot punimet në rrugën “Zonja Çurre”, në njësinë bashkiake nr. 2. Rruga me një  gjatësi 230 metra linearë do të ketë trotuare, kanalizime etj. Vlera e investimit është 5.9 milionë lekë dhe një financim i Njësisë Bashkiake nr.2.

“Jemi sot këtu për të inspektuar punimet që njësia bashkiake nr.2 ka filluar në rrugën “Zonja Çurre”. Gjej rastin që të falënderoj z. Gjoza, i cili me forcat dhe me të ardhurat e njësisë bashkiake nr.2 ndërmerr një investim i cili i shtohet investimeve që Bashkia e Tiranës po bën. Ky investim, krahas investimeve që ne po bëjmë aktualisht për bulevardin “Petro Nini Luarasi”, për rrugën “Mihal Grameno”, për rrugën “Gramoz Pashko” kompleton investimet në këtë zonë, të cilat në rrugën “Zonja Çurre” prekin rreth 3000 banorë.

Ky investim vjen pikërisht në një moment kur Bashkia e Tiranës është duke u kaluar disa kompetenca të reja minibashkive. Ashtu siç e deklaroi  edhe Kryetari i Bashkisë, në mbledhjen e datës 28 shkurt, ne do të prezantojmë një paketë të re sa i përket decentralizimit dhe me vjen mirë që ka disa njësi bashkiake të cilat i marrin me seriozitet kompetencat e tyre dhe realizojnë mbledhjen e të ardhurave që shërbejnë dhe investohen për komunitetin” – u shpreh znj. Tabaku.     

Nënkryetarja Tabaku bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të investojë për të plotësuar rrugën me gjelbërim, ndriçim e me të gjithë standardet që kërkon ndërhyrja në këtë rrugë, sikundër në çdo rrugë tjetër të Tiranës.

Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 2, Elez Gjoza theksoi se “sot ndërhyjmë me fillimin e punimeve tek “Zonja Çurre”. Është një premtim i dhënë gjatë fushatës elektorale në 2011 nga Kryetari i Bashkisë z. Lulzim Basha, deputetja Lajla Përnaska dhe kandidati e tashmë kryetar i minibashkisë, z. Gjoza të cilin ne e bwjmë realitet. Ndërhyhet për herë të parë dhe është një aks prej 230 metrash, një aks shumë problematik për 3000 banorët dhe që bëhet me investimin e minibashkisë. Unë premtoj se do të kemi investime të tjera, në mënyrë të vazhdueshme në akset e kësaj minibashkie. Kjo minibashki tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi. Kemi parasysh bulevardin “Petro Nini Luarasi”, rrugën “Gramoz Pashko” dhe shumë rrugë të tjera të kësaj njësie me infrastrukturë tejet të dëmtuar”.

Ndërkohë, nga ana e saj, deputetja e zonës znj. Lajla Përnaska u shpreh: “Do të doja t’i bashkohesha me gjithçka sa u tha përsa u përket investimeve në njësinë bashkiake nr.2. Unë besoj se jo vetëm jemi në një rrugë të mbarë por edhe në një ditë të mbarë. Sot bie shi por në traditën tonë shiu është bereqet. Prej shumë e shumë vitesh, ne si banorë të kësaj zone kemi vuajtur përbaltjen nëpër këto rrugë e rrugica ku askush, asnjëherë nuk kushtoi as minimumin e vëmendjes. Ne, me një besim shumë të fortë në veten tonë dhe në programin tonë elektoral për Bashkinë e “Tironës” dhe për minibashkinë nr.2, për një nga lagjet më të bukura dhe më të vjetra të kryeqytetit premtuam me gojën plot që do të futemi në çdo rrugicë, në çdo cep të saj për t’i dhënë zhvillim dhe për t’i dhënë kësaj zone dinjitetin që i takon prej brezash”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›