Nis në Durrës stërvitja e përbashkët Shqiptaro-Hollandeze “Albania Lions ‘09

Stërvitja e parë e përbashkët, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO, “Albania Lions ‘09”, ku përkrah forcave shqiptare ushtarake detare dhe tokësore marrin pjesë mjete dhe forca nga ushtria e Mbretërisë së Holandës, ka nisur sot në rajonin detar të Vlorës. Shefi i shtabit të Brigadës detare me qendër në Durrës, kapiten i rangut të parë Roland Nasto tha se: “kjo stërvitje, e para pas anëtarësimit në NATO do të vazhdojë deri në 21 prill dhe do të pasohet nga dy stërvitje të tjera të rëndësishme. Një grup zhytësish holandezë, në bashkëpunim me zhytësit tanë ushtarakë do të punojnë për pastrimin, largimin dhe çaktivizimin e municioneve të mbetura nën ujë, në një nga zonat e rajonit detar të Vlorës. Bashkë me 4 anijet tona ushtarake të Flotiljes detare të Jugut në operacionin stërvitor marrin pjesë edhe mjete lundruese dhe forca ushtarake detare holandeze". Sipas Nastos, komponenti tjetër i “Albania Lions ‘09” do të zhvillohet në ishullin e Sazanit, ku trupat speciale detaro-tokësore shqiptare dhe holandeze do të realizojnë një stërvitje të përbashkët disaditore. Shefi i Shtabit të Brigadës detare, Nasto tha se: “në maj do të zhvillohet Stërvitja e përbashkët SHBA-Shqipëri “JECT ‘09”, ndërsa përgatitjet e përbashkëta po vazhdojnë intensivisht. Rajoni detar jugor i vendit do të jetë “teatri i veprimeve ushtarake” në stërvitjen e madhe “Adrion-Livex ‘09”, që do të zhvillohet në qershor, ku Shqipëria, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, si dhe Mali i Zi, do të jenë vendet pjesmarrëse të saj”.
...