Nikolin Jaka, liri pas 20 ditesh

TIRANË - Për afro 20 ditë, ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, pritet që të lërë qelitë e paraburgimit të burgut 302 dhe të rifitojë lirinë. Së bashku me të, edhe katër nga bashkë të arrestuarit e tjerë të operacionit “Duart e pastra”, do të rifitojnë lirinë, përveç ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Ilirian Berzanit dhe Xhevahir Muçogllavës, i cili aktualisht është në arrest shtëpie. Mbyllet me 8 vjet burg dhe disa milionë lekë gjobë historia e bujshme e operacionit “Duart e pastra”, ku u gjykuan 7 persona, mes të cilëve dhe ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka. Në seancën e pestë të çështjes, që iu nënshtrua gjykimit të shkurtuar me kërkesë të të pandehurve, togat e zeza të Gjykatës së Tiranës vendosën të shpallin fajtorë dhe të dënojnë thuajse sa gjysma e dënimit të kërkuar nga prokuroria 7 të pandehurit, të akuzuar për korrupsion pasiv dhe aktiv, si dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë. Në seancën përfundimtare të çështjes, në një sallë të tejmbushur nga familjarët e të arrestuarve, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, vendosi të shpallë fajtorë dhe të dënojë me 1 vit e 20 ditë burg, si dhe 800 mijë lekë gjobë ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jakën, për të cilin organi i akuzës dy seanca më parë kërkoi dënimin me 3 vjet heqje lirie. Gjithashtu, gjykata vendosi që Jaka të jetë i përjashtuar për tre vite nga funksionet shtetërore. Gjatë seancës përfundimtare gjykata vendosi të dënojë me 2 vjet burg dhe 2 milionë e 500 mijë lekë gjobë ish-drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, Ilir Berzanin, me 1 vit e 4 muaj burg e 400 mije lekë gjobë ish-drejtorin e Drejtorisë Juridike, Arian Shetin, me 1 vit burg ish-drejtorin e Drejtorisë së Koordinimit në Drejtorinë e Rrugëve, Xhevair Muçogllavën. Po me 1 vit e 20 ditë burg gjykata vendosi të dënojë edhe Bashkim Kamberin, një ish-funksionar i lartë i Ministrisë së Transporteve. Ndërsa për dy biznesmenët e akuzuar për korrupsion aktiv, Isuf Ukperaj dhe Skënder Bokçiu, gjykata vendosi të japë masën e dënimit me nga 1 vit e 20 ditë burg për secilin, si dhe gjobë në shumën e 600 mijë lekëve. Thuajse të gjithë të arrestuarit e operacionit “Duart e pastra”, të akuzuar sipas prokurorisë për abuzime me tenderët, pritet të lënë qelitë ditët në vazhdim, pasi masa e dënimit që dha gjykata ditën e djeshme është vetëm disa ditë më e lartë se koha e paraburgimit që kanë kryer 7 ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve, në një kohë që një ditë në qelitë e paraburgimit përllogaritet si një ditë e gjysmë burg.