Nis numërimi i votave të kontestuara për 26 kuti
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e 403 fletëve të kontestuara të cilat gjenden në 26 kutitë për bashkinë e Tiranës.
Në kutinë e parë që është hapur kanë rezultuar dy fletë të kontestuara ku votuesit kanë shënuar se votojnë për kandidatin e “aleancës për të ardhmen” Edi Rama. Në njërën prej fletëve është bërë shenjë tek emri i kandidatit ndërsa tek fleta e dytë është shënuar me shkrim Edi Rama.
Ndërkohë më herët Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur që të numërojë fletët e kontestuara të cilat gjenden në 26 kuti, kërkesë kjo e Partisë Demokratike.
Sipas kërkesës, bëhet e ditur për se nga 26 qendra për të cilat kërkohet të hapen kutitë, vetëm një pjesë e tyre kanë shënime specifike për fletët e kontestuara.