E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi,Lordit britanik: Të vetëdijshëm për reformat

TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi ka pranuar se Shqipëria është e vetëdijshme për reformat që duhen përmbushur për integrimin në BE, cilësuar prej tij si sfida e radhës, pas asaj të anëtarësimit në NATO.

Deklarara është bërë sot gjatë takimit që Topi zhvilloi me Lordin britanik Riçard Best, Presidentin e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC), i cili shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam.

Pas anëtarësimit të vendit në NATO, Shqipëria gjendet përballë një tjetër sfide të cilën ne kemi bindjen se do e përmbyllim me sukses, sfidën e integrimit në Bashkimin Evropian,- tha Topi.

Nga ana e tij, Lordi britanik, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi si simbol i unitetit të popullit, shprehu mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe për përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes vendeve dhe u diskutua për projektet e përbashkëta rajonale për të zgjeruar rrjetin e kërkimeve shkencore dhe për tu dhënë mundësi studentëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike. Presidenti, duke vlerësuar këto projekte në të mirë të arsimimit të të rinjve shqiptarë, nënvizoi nevojën që ka brezi i ri për tu arsimuar sa më shumë dhe pajisur me mendësi të hapur e bashkëkohore, në mënyrë që të ndihet vërtet një brez qytetarësh modernë evropianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›