Rama: KQZ-ja po vijon të grabisë fitoren në Tiranë

Kryetari i PS-së Edi Rama ka deklaruar se KQZ-ja po vijon të grabisë fitoren në Tiranë. Në një konferencë për mediat, Rama ka theksuar se PS ka publikuar fakte, shifra e konkluzione të mbështetura mbi tabelat që kanë dalë prej tavolinës së vjedhjes të cilat flasin për përmasën dridhëruese të kanibalizmit elektoral.
“Saliu thotë se pse nuk i kemi animuar ne këto fakte e shifra. Në fakt ankesa për çfarë ka ndodhur e çfarë po vazhdon të ndodhë në KQZ po merr përmasë ndërkombëtare. Nuk ka mbetur jo vetëm qytetar i ndershëm i këtij vendi por edhe mik e partner i këtij vendi ka ngritur zërin për aktin e paligjshëm të KQZ” theksoi Rama.
Më tej Rama theksoi se PS-ja i ka dorëzuar të gjitha faktet në prokurori ndërsa pret të organi i akuzës të veprojë për të zbardhur deformimin e votës
“Ne e kemi bërë publik faktin se u jemi drejtuar prokurorisë duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk është thjesht administrativ por mirëfilli penal. Sigurisht presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel gjithë çka ka ndodhur duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës me qëllim përmbysjen e fitores në tavolinë dhe grabitjes së mandatit të Tiranës”, theksoi Rama.