Nis pastrimi i kolektorit kullues në fshatin Rrushkull, Beci: Kërkesë e kahershme e banorëve

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Punonjësit e bashkisë së Shkodrës kanë nisur pastrimin e kolektorit kullues, në fshatin Rrushkull në Njësinë Dajç që pritet të sjellë përfitime për fermerët duk u lehtësuar atyre proceset e punës me tokën bujqësore.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci i cili solli edhe pamje nga punimet, ky projekt ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës, por që tani po realizohet nga Bashkia Shkodër, duke iu përgjigjur çdo ditë e më shumë nevojave të komunitetit.
“Ka mbi 10 vjet që nuk është prekur me dorë ky kanal. Me pastrimin, të gjitha pisllëqet do ikin nga këtu dhe po bëhet një punë shumë e mirë. Kjo rrugë dhe rruga e Xhamisë për ne janë kryevepra. Ka shumë gjëra për t’u bërë, por e kanë nisur mirë deri tani”, tha një prej banorëve të fshatit Rrushkull.
“Është një gjë e mirë për fshatin tonë dhe e falënderojmë bashkinë që ka vënë dorë në fshatin Rrushkull. Për punën që janë duke bërë, për dritat, po pastrohet edhe kanali, do shtrohet edhe rruga. Gjithë verën këtu nuk rrihet aspak, sepse duke u pastruar kanali pastrohet edhe ambienti”, shprehet një tjetër banor i kësaj zone. /j.p/