Rehabilitohet rruga e “Hoxhajve” në Rrashbull, Sako: U shërben 1200 banorëve

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Një tjetër investim i bashkisë së Durrësit pritet të lehtësojë jetën e banorëve të rrugës së “Hoxhajve” në zonën e Arapajt në Durrës.
Asfaltimi i 850 metrave rrugë, do i shërbejë 1200 banorëve të zonës, ndërsa kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako i takoi nga afër këta banorë për të marrë përshtypjet dhe vlerësimet e tyre, teksa theksoi se ky investim është një tjetër premtim i mbajtur nga bashkia e Durrësit.
“Komuniteti nuk mjaftohet me një shtrim rruge, ka edhe kërkesa tjë tjera, siç ndodh në të gjitha njësitë ku ne bëjmë investime. Pas rrugës, duhet ndriçimi, koshi i mbeturinave, por ne si investim të parë patëm pjesën e asfaltit që ishte e nevojshme për këtë komunitet”, tha Sako.
“Në këtë njësi administrative kemi bërë shumë punë, por Rrashbulli është i madh, në të gjitha fshatrat përpiqemi që çdo vit të bëjmë një investim dhe ne e kemi parë të rëndësishme me qeverinë si fillim investimin në rrjetin e furnizimit me energji elektrike që në këtë zonë nuk ka probleme, furnizimin me ujë që jemi duke punuar akoma dhe investimet që ka bashkia, shkollat, kopshtet, rrugët që edhe këtu kemi bërë një punë të madhe dhe do vazhdojmë punën me kërkesat që ka komuniteti”, shtoi ajo.
Nga ana e tyre, qytetarët vlerësuan punën e Sakos dhe bashkisë së Durrësit, ndërsa thanë se prej 30 vitesh në këtë zonë nuk kishte asnjë investim. /j.p/