E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Produktet biocide në shëndetin publik, Shehu kërkon ripunimin e projektligjit

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë  shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 95/2015, “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, të ndryshuar”.

Entela Ramosaçaj, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, paraqiti këtë projektligj përpara deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, duke theksuar se qëllimi i këtij projektligji është harmonizimi dhe vendosja në treg e shërbimeve dhe produkteve biocide duke siguruar mbrojtjen në nivel të lartë të shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

“Shtesat dhe ndryshimet e projektligjit synojnë një zgjerim të ligjit duke siguruar një mbrojtje të shëndetit njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, duke rritur më tej standardet, përdorimin e tyre, zgjerojmë kategorinë përjashtuese nga ky ligj, shtohen edhe lodrat. Ne parashikojmë që nëpërmjet akteve nënligjore, siç janë vendimet e Këshillit të Ministrave të bëjmë klasifikimin, etiketimin dhe paketimin e produkteve biocide. Kemi riformuluar nenin për vendosjen në treg të produkteve biocide, këto lidhen me ndryshimin e autorizimit për vendosjen e tyre në treg, që do të lëshohet për ato produkte që prodhohen në vend, por që janë të autorizuara për t’u përdorur në një nga vendet e BE-së apo janë të importuara dhe të autorizuara për përdorim në një nga vendet e BE-së”, tha Ramosaçaj.

Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me këtë projektligj vendoset për herë të parë nocioni “autorizim i kushtëzuar” për vendosjen në treg të produkteve biocide. “Për herë të parë ne kemi vendosur detyrimin për mbajtjen e të dhënave, ruajtjen dhe raportimin e të tyre deri në tre vjet për produktet biocide. Ky ligj nuk synon përafrimin me BE, por dy aktet nënligjore, për paketimin dhe etiketimin dhe akti tjetër për autorizimin për vendosjen në treg do të detajohen me këto akte nënligjore dhe do të jenë më të përafruara me BE-në”, pohoi ajo.

Nënkryetarja e këtij komisioni, deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu tha se këto ndryshime janë të domosdoshme, pasi ligji ka një periudhë-10 vjeçare që është miratuar dhe këto ndryshime do garantojnë një nivel më të lartë mbrojtjeje për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

“Këto ndryshime do e kontrollojnë më mirë tregun dhe qarkullimin e produkteve biocide, duke sjellë më shumë siguri në shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit”, tha Spahiu.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh në fjalën e tij se “problemi i substancave të ndaluara që futen në Shqipëri është një problem shumë i madh që shkatërron shëndetin e njerëzve, favorizon kontrabandën, korrupsionin, problem gjigant, i cili lindi dhe u zhvillua në Shqipëri pas vitit 2014 kur ndryshoi dhe ligji për farmaceutikën”.

“Kur flasim për biocidet, nuk mund të mos flasim për medikamentet. MSH duhet ta nisi nga disiplinimi i medikamenteve, që të futen vetëm ato me origjinë e sigurtë, të certifikuara nga EMA, apo nga Food & Drug Administration. Këtu futen medikamente të çdo lloji, ka një prodhim vendas të pacertifikuar nga EMA dhe asnjë organizëm tjetër”, theksoi Shehu.

“Është krim kundër njerëzimit, krim kundër të sëmurëve. Shqipëria është një vend me dyer të shqyera, ku futen medikamente të pacertifikuara dhe ligjin e keni ndryshuar juve. 50-60 persona të rinj në vit vdesin nga përdorimi i fostoksinës, që hyn në grupin e biocideve. Jemi i vetmi vend evropian ku qarkullon fostoksina, që është sinonim i vetëvrasjes. Ligji shumë sipërfaqësor, sepse nuk prek thelbin e çështjeve,  duhet ripunuar për të bërë një gjë solide”, shtoi ai.

Diskutimet për këtë projektligj u shtyn për një periudhë të dytë, me kërkesën e drejtueses së këtij komisioni, Zheni Gjergji që projektligji të detajohet dhe zgjerohet më shumë. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›